Komisioni i posaçëm hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta ka vendosur në mbledhjen e sotme shtyrjen e afatit të punimeve të tij me dy muaj.

Kërkesa erdhi për shkak se konkluzionet e komisionit të Venecias do të dalin më 12 tetor, disa ditë pas mbylljes së afatit ligjor të strukturës hetimore që është data 8 tetor.

Kryetari Ulsi Manja njoftoi se është zbardhur dëshmia e Presidentit në mbledhjen e shkuar dhe ajo është pasqyruar në procesverbal. Ai komunikoi edhe rendin e ditës duke kërkuar zgjatjen e afateve të komisionit.

Kryetari i Ballit Kombetar, Adriatik Alimadhi kërkoi që ky komision të ndalojë punimet, pasi sipas tij nuk ka elementët e duhur për të hetuar Presidentit Ilir Meta.

“Ky komision nuk duhet të ekzistojë më se nuk ka elementët e duhur për të hetuar presidentit. Nuk kemi të bëjmë me shkelje të rëndë që fajëson presidentin Ilir Meta se nuk ka marrë një vendim që prek interesat e vendit”, tha Alimadhi.