Manchester Unitedi duket se e ka marrë një goditje tjetër të madhe në skuadër, pasi që portieri David de Gea u largua nga ndeshja e mbrëmshme e Spanjës, kundër Suedisë në kualifikimet për EURO 2020, duke çaluar.

Portieri, i cili së fundi e rinovoi kontratën e tij me Manchester Unitedin për një periudhë më afatgjate, u detyrua ta lë ndeshjen e Spanjës kundër Suedisë pas rreth një ore lojë, transmeton Gazeta Express.

28-vjeçari i kishte bërë një numër pritjesh mbresëlënëse deri në atë moment, para se të zëvendësohej nga Kepa Arrizabalaga, edhe pse ai e pati të pamundur ta ndalojë Marcus Bergun, kur ky i fundit e zhbllokoi rezultatin e ndeshjes.

De Gea e lëndoi veten gjatë pjesës së parë të ndeshjes në Stokholm, mirëpo e vazhdoi lojën, përkundër që e shprehte se është në dhimbje në fytyrë, duke i bërë edhe disa pritje të tjera.

Megjithatë, dhimbjet rezultuan të jenë shumë të mëdha për ta vazhduar lojën në pjesën e dytë të ndeshjes dhe ish-portieri i Atletico Madridit u zëvendësua nga rivali i tij në Premierligë, Arrizabalaga.

“Davidi e bëri një pritje të mrekullueshme në pjesën e parë dhe është e mrekullueshme t’i kesh në skuadër tre portierë fantastikë. Ai e lëndoi muskulin e tij, mirëpo u trajtua gjatë pushimit mes dy pjesëve të lojës dhe dëshironte ta vazhdonte lojën”, tha trajneri i Spanjës, Robert Moreno.

Ndërkohë, në Manchester United do të jenë të shqetësuar për gjendjen e De Gea, pasi që skuadra e Ole Gunnar Solskjaer është duke u përballur me disa lëndime para derbit të së dielës kundër Liverpoolit.

Përderisa Manchester Unitedi me kalimin e kohës po bie më poshtë në tabelën e Premierligës, skuadra e Jurgen Kloppit ende s’e ka humbur asnjë pikë dhe është lidere e Premierligës.