Nuk është aspak çudi, edhe pse për një shqiptar është e bujshme që të mund të transferohet te Juventusi në ditët e sotme. Një ndër skuadrat në top klubet europiane mund të ketë në organikë edhe një flamur shqiptar. Për kë tjetër mund të bëhet fjalë përveçse për Elseid Hysajn, kur në drejtimin e kësaj skuadre është Mauricio Sarri.

Së fundmi, informacioni i mediave italiane është i tillë se në adresë të mbrojtësit të Kombëtares do të ketë një tentativë nga bardhezinjtë, pikërisht pasi trajneri ka dhënë dakordësinë e tij për shkodranin. Emri i tij gjatë merkatos është lidhur me disa pista të mundshme, mes tyre edhe me Atletikon e Madridit, por nga dita në ditë, ka rënë çdo pistë e mundshme transferimi dhe shqiptari ka nisur fazën përgatitore nën drejtimin e Ançelotit, deri në momentin që agjenti do të sigurojë akordin dhe transferimin me një tjetër skuadër.

Tratativa

Largimi i Mauricio Sarrit nga Napoli drejt Çelsit hapi disa herë dritaren e diskutimit në media se shqiptari mund ta ndiqte edhe në Londër. Nën drejtimin e Ançelotit, Hysaj humbi çdo ditë e më shumë në vitin e parë pozitat e titullarit, derisa vetë lojtari dhe agjenti i tij pranuan publikisht se kishte ardhur momenti për një “divorc” mes palësh. Së fundmi, në skenë është sërish Sarri. Këtë herë, nën logon e Juventusit, trajneri ka dhënë pëlqimin e tij për të afruar Hysajn në ekip, teksa bardhezinjtë përgatiten për të pasur një zëvendësues në rolin e mbrojtësit të djathtë, kur çdo ditë e më shumë, Zhoao Kanselo përflitet për një transferim drejt Mançester Sitit.

“Sportitalia” ka hedhur në skenë informacionet më të fundit nga kampi bardhezi, ku shqiptari është në qendër të tyre. Merkato Deri më tani, agjenti i Hysajt është duke punuar zyrtarisht për transferimin e shqiptarit te Roma. Skuadra kryeqytetase ka shprehur interesin dhe ka një ofertë zyrtare të artikuluar, për të cilën Mario Xhufredi po negocion me drejtuesit napolitanë. Mirëpo, në rast të një dëshire nga Juventus, nëse vetë trajneri Sarri do të shtyjë për realizimin e një afrimi të tillë, atëherë pa dyshim që Hysaj do të zgjidhte Torinon në vend të Romës. Kjo, sigurisht për prestigjin, mundësinë për të luajtur përkrah yjeve si Kristiano Ronaldo, për të luajtur në Champions, por edhe për vetë lidhjen miqësore që ka me trajnerin Sarri.