Në Kursin e Lartë të Sigurisë edhe Mbrojtjes (KLSM), i cili u zhvillua për 10 javë në Akademinë e Forcave të Armatosura u diplomuan për këtë vit 13 kursantë. Pjesë e tij ishin ushtarakë të lartë dhe civilë nga një sërë vendesh partnere si Anglia, Turqia, Kroacia, Italia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Gjeorgjia, sipas njoftimit të zyrës së shtypit të ministrisë. Mbrojtjes Olta Xhaçka u shpreh se kursi ka një rëndësi që shkon përtej thjesht përgatitjes së një numri studentësh nga fusha e mbrojtjes.

“Ky kurs ka për ne një rëndësi që shkon përtej sepse ai është në fakt, si të thuash qershia mbi tortë i gjithë përpjekjes sonë për të ngritur një sistem arsimimi ushtarak vërtet modern dhe cilësor siç i takon një ushtrie moderne të një vendi anëtar të NATO-s. Jemi duke punuar shumë për të ngritur strukturat e logjistikën, kemi bërë shumë për të shtuar financimet dhe kemi ende shumë për të bërë për atë që është elementi ndoshta më i vështirë, por edhe më thelbësor pa diskutim, ngritja e kapaciteteve akademike e njerëzore që nevojiten për një sipërmarrje kaq të vështirë”, tha ministrja Xhaçka.

Kursi i Lartë i Sigurisë edhe Mbrojtjes ka si qëllim arsimimin e liderëve civilë dhe ushtarakë nga Shqipëria, vendet e rajonit, vendet anëtare të NATO-s dhe ato partnere për të kuptuar situatat komplekse në ambientin strategjik të sigurisë, dhe të rrisë aftësitë e të menduarit në mënyrë strategjike.

Gjatë ceremonisë së përfundimit të këtij kursi morën pjesë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral brigade Bajram Begaj, ambasadorja franceze në Tiranë Christina Vasac, komandantë forcash, etj.