Sonila Skermo nga Korça, pas më shumë se 5 vite zvarritjeje fitoi të drejtën e saj për t’u punësuar si edukatore kopshti, pas ankesës në platformën e bashkëqeverisjes “shqiperiaqeduam.al”. Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me rastin e Sonilës, e cila pasi shkroi në platformë arriti të punësohej. “Mirëmëngjes dhe me rastin e Sonilës nga Korça që duke shkruar te shqiperiaqeduam.al mundi burokracinë, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shprehet Rama.

“Në vitin 2013 jam diplomuar në degën Cikli i Ulët Parashkollor, dhe kam marrë pjesë në 2015 në portalin “Mësues për Shqipërinë”. Atje dola fituese dhe gjatë gjithë këtyre viteve kam kërkuar të drejtën time për punësim. Jam drejtuar tek Drejtoria Arsimore, më është ofruar në 2018 në Maliq një vend provizor. Punova atje disa kohë duke u interesuar në terren pashë që kishte vende definitive bosh kështu që unë kërkoja të drejtën time për këtë vend meqënëse unë e meritoja se isha e para”, shprehet Sonila.

Ajo tregon se kishte 5 vjet që pretendonte të fillonte punë në profesionin e saj, por ishte e vështirë dhe aplikoi tek platforma e bashkëqeverisjes. Më pas Sonila i drejtohet platformës së bashkëqeverisjes ku shkruan se “quhem Sonila Skermo nga Korça, kam konkurruar në portalin “Mësues për Shqipërinë”, për ciklin parashkollor ku jam renditur e para. Ndërkohë ende nuk jam punësuar dhe rasti im zvarritet prej disa vitesh. Me besimin se çështja e punësimit tim do të merret në konsideratë nga ju mbetem në pritje”.

“Mua më vjen përgjigjja dhe vendi vakant që ishte në kopshtin numër 9 në Korçë më ofrohet dhe unë fillova punë në këtë kopsht, i cili ndodhet në qendër të qytetit dhe është me standarde të larta me kapacitet 120 fëmijë”, thekson Sonila.

Ajo falënderon platformën, e cila i realizoi ëndrrën e saj, që të punojë me fëmijët. “Ishte ëndrra e parealizuar, në sirtar”, shprehet ajo. Sonila ka një mesazh për të gjithë ata që nuk gjejnë zgjidhje në zyrat ku trokasin. “Shkruani tek platforma e bashkëqeverisjes, që është një derë ku dëgjohet e drejta dhe ligji triumfon”. thotë ajo.