Rritja e numrit të të punësuarve po ndjek trendin pozitiv të qëndrueshëm nga muaji në muaj.

Sipas Anketës Tremujore të Forcave të Punës, publikuar sot nga INSTAT, shkalla e papunësisë në vend arrin në nivelet më të ulta historike në shifrat 11.5%. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2018, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,9 pikë përqindje ndërsa me tremujorin e parë 2019, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,6 pikë përqindje.

Në tremujorin e dytë 2019, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 61,4 %, nga më të lartat në rajon vlerësuar në vazhdimësi edhe nga institucionet ndërkombëtare si Banka Botërore, FMN, Komisioni Europian, etj.

Gjatë këtij tremujori, në krahasim me të njëjtin tremujor të vitit 2018, numri i të punësuarve gjithsej u rrit me 3,4% dhe krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2019, ky tregues u rrit me 2,1%.

Vlen për t’u përmendur se shkalla zyrtare e papunësisë tek të rinjtë shfaq tendencë në rënie e cila, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2018, është 1,7 pikë përqindje më e ulët, ndërsa me tremujorin e parë 2019 ka pësuar një rënie prej 1,3 pikë përqindje.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, u shpreh se ky është një lajm i mire për ekonominë.

“Anketa tremujore e forcave të punës, publikuar sot nga INSTAT, konfirmon efektivitetin e politikave nxitëse për punësimin. Në tremujorin e dytë 2019, papunësia vazhdoi rënien duke kapur nivelin historik prej 11.5%, ndërsa numri i të punësuarve gjithsej krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2018, u rrit me 3.4 %, duke konsoliduar shkallën e punësimit në 61.4% nga më të lartat në rajon. Ndërkohë shkalla e papunësisë tek të rinjtë shfaq tendencë në rënie e cila krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2018, është 1,7 pikë përqindje më e ulët” – tha Denaj.

Rritje të punësimit kanë patur sektorët bujqësi, tregti, shërbimet mbështetëse, aktiviteti informatik dhe telekomunikacioni.

Raporti i publikuar sot nga INSTAT tregoi sërish efektivitetin e politikave të ndërmarra nga qeveria që shkon në favor të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe nxitjes së punësimit.