Ishte 29 shtatori i vitit 1982 kur Alex McLeish shkeli për herë të parë në tokën shqiptare.

Asokohe trajneri i Skocisë luante për ekipin e Aberdeen-it dhe ishte pjesë e rëndësishme e skuadrës.

Fati i shortit kishte bërë që skuadra skoceze të luante kundër Dinamos. Një ekipi që përfaqësonte një vend të izoluar në Europën juglindore, një vendi komunist që ishte i rrethuar me gjithë pikëpyetjet dhe makabritetet e një regjimi të tillë.

Ndeshja e parë ishte luajtur në Skoci dhe ishte fituar nga vendasit me rezultatin 1-0, ndërsa duhej të merrnin një barazim në mitikun “Selman Stërmasi” për t’u kualifikuar. Ardhja e ekipit skocez u shoqërua me një ngjarje të jashtëzakonshme, pasi ndodhi një “grusht shteti” brenda vendit, ku dy të ri ishin vrarë nga regjimi i kohës.

Lajmi i vrasjes së dy personave në Shqipëri mori përmasa të mëdha dhe në mediet britanike, pasi ekipi i Aberdeen-it ndodhej në shtetin prej 28 mijë e kusur metrash katrorë.

Shqipëria nuk kishte mundësi komunikimi me telefonë, prandaj gratë e futbollistëve ishin “çmendur”. Gruaja e McLeish 35 vjet më parë ishte munduar që të lidhej me Ambasadën Britanike për të marrë vesh më shumë në lidhje me ngjarjen e rëndë. Trajneri aktual i Skocisë tregon me nostalgji “njohjen e parë” me Shqipërinë.

“Më kujtohet dita e parë kur erdhëm në Tiranë me ekipin e Aberdeen-it. Gazetat britanike ishin hapur me titujt se kishte ndodhur një grusht shteti në Shqipëri dhe ne ishim aty. Nuk kishim celularë për t’u lidhur dhe gratë ishin në merak.

“Ata u munduan të lidhen me Ambasadën Britanike për të marrë vesh se çfarë po ndodhte. Dy djem kishin ardhur në breg me një anije dhe ishin qëlluar për vdekje dhe aq ishte grushti i shtetit.

“Ne nuk e dinim se çfarë ndodhte, pasi po mendonim vetëm për ndeshjen. Pasi u kthyem gratë na pyesnin nëse kishim dëgjuar krisma apo luftë, ndërsa ne nuk e kishim idenë se çfarë po ndodhte. Ne barazuam 0-0, ndërsa u kualifikuam pas fitores në ndeshjen e parë me rezultatin 1-0. Atë vit fituam Kupën e Kupave“, -tregon McLeish ngjarjen e veçantë. (Telesport)