Eksportet e gështenjave “made in Albania” arrijnë çdo vit në mbi 6 mijë ton, me një vlerë deri në 8 milionë euro. Sipas ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, pjesa më e madhe e prodhimit të gështenjave eksportohet në Itali, ku dhe përpunohet.

Ndërkohë që kërkesa në rritje e tregut të huaj për këtë produkt, e ka kthyer gështenjën në një ekonomi shtesë për të ardhurat e familjeve që merren më këtë aktivitet. Zona veriore e vendit Tropoja, ka hapësirën më të madhe të mbjellë me gështenja në gjithë Shqipërinë. Si një produkt unik i kësaj zone, i certifikuar tashmë nga institucionet përkatëse, si “gështenja e Tropojës” me standardin më të lartë, ka arritur të shtojë vlerën produktit në gati me tre herë në vitit e fundit, ndërsa të ardhurat nga eksporti i gështenjës vetëm për Tropojën arrijë gati 3 milionë euro në vit.