Shqipëria dhe Serbia do të vijojnë shkëmbimet në fushën e kinematografisë, muzikës, por edhe bashkëpunimin në evente kulturore të përbashkëta sidomos gjatë sezonit artistik.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, gjatë një takimi të zhvilluar me ministrin serb të Kulturës, Vladan Vukosavljević, në Paris, ku u mbajt Forumi i Ministrave të Kulturës, në UNESCO, kanë bashkëbiseduar në lidhje me çështjet që bashkojnë dy vendet tona në fushën e artit, kulturës por edhe për sa i përket bashkëpunimit për institucionet dhe objektet historike.

“Bashkëpunimi në fushën e kinematografisë, muzeologjisë, muzikës dhe arteve pamore, ishin disa nga çështjet mbi të cilat diskutuam me ministrin serb të Kulturës, Vladan Vukosavljević. Homologu serb shprehu interesin për shkëmbime në fushën e muzikës lirike dhe asaj tradicionale, duke iu referuar suksesit të bashkëpunimeve të mëparshme. Ai u shpreh i gatshëm, që aktivitete të përbashkëta të zhvillohen prej sezonit të ardhshëm artistik,” u shpreh ministrja e Kulturës Margariti.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti është takuar edhe me homologë të tjerë në Forumin e Ministrave të Kulturës, në UNESCO, i cilësuar edhe si një paradë kulturash, shkëmbime eksperiencash dhe mundësi bashkëpunimesh, mes të cilëve ministren greke të Kulturës dhe Sportit, znj. Styliani Mendoni, apo edhe me Drejtoren e UNESCO World Heritage Center, Znj. Mechtild Rössler.