Shqipëri-Francë do të përurojë stadiumin e ri kombëtar, “Air Albania Stadium”, teksa do të mbyllë edhe edicionin kualifikues drejt fazës finale të Europianit 2020. “Gjelat” e Deschamps mbërrijnë të kualifikuar, ndërsa do të synojnë vendin e parë, teksa kuqezinjtë duan fitoren për prestigj, stadiumin e ri dhe mbylljen dinjitoze.

Duke qenë se ka shumë kuriozitet rreth stadiumit të ri, por sidomos pritet i gjithi i mbushur me gati 21 mijë tifozë, FSHF ka kërkuar që ndihma e rojeve të sigurisë, pra steward (kompania BBS) të rrisë numrin nga 350 që ishte paracaktuar në 500 të tilla, sipas asaj që ka mësuar Telesport. Ndërkohë, numri i forcave të policisë jashtë stadiumit do të jetë 1600, përveç kamerave që do të monitorojnë gjithçka ndodh jashtë dhe brenda impiantit.

Hyrja në stadium do të nisë 2 orë e gjysmë përpara, ndërsa në të 9 pikat ku do të jenë hyrjet brenda në stadium do të verifikohet gjithçka me një barcode të pranishëm në biletë dhe në badge përkatës.

Sakaq, për lëvizjen e automjeteve në zonën në afërsi të stadiumit “Arena Kombëtare”, do të jenë të lira vetëm akset rrugore “Rruga e Elbasanit” dhe Unaza, në të dy drejtimet e lëvizjes së saj. Në të gjitha rrugët hyrëse në këtë zonë nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve.

Parkimi dhe qëndrimi i automjeteve në zonën e mësipërme nuk do të lejohet. Të gjitha automjetet që janë të parkuara brenda zonës së mësipërme, nga ora 12:00 e datës 17.11.2019 duhet të largohen.

Automjetet e autorizuara nga Federata Shqiptare e Futbollit duhet të jenë të pajisura me shenjën dalluese në xhamin e përparmë dhe do të hyjnë nëpërmjet bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, tek Ura e Lanës, Libri Universitar dhe Presidenca, me drejtim sheshin “Nënë Tereza” – Rektorati i UT. Në këtë pikë kontrolli për të gjitha automjetet do të bëhet kontrolli antieksploziv i tyre.

*Për parkim të automjeteve në qytetin e Tiranës do të përdoren këto vende:

•Automjetet që vijnë nga Elbasani: autobusët do të parkohen në sheshin e lokal “Calvin”, ndërsa autoveturat tek parkingu pranë Fakultetit Ekonomik.

•Automjetet që vijnë nga Rruga e Durrësit: autobuzët do të parkohen tek ish-dogana, ndërsa autoveturat tek parkingu pranë Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, si dhe te parkingu nëntokësor në sheshin “Skënderbej”.

•Automjetet që vijnë nga “Rruga e Kavajës”: autobusët do të parkohen në Kombinat – Qyteti i Nxënësve, ndërsa autoveturat tek parkingu pranë stadiumit “Selman Stërmasi”.

*Pikat e kontrollit dhe orientimi i tifozërisë:

•Për mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv, Policia e Shtetit do të bllokojë nga ora 17:30 të gjithë zonën rreth stadiumit “Arena Kombëtare”. Për këtë do të ngrihen pika kontrolli, për të orientuar tifozërinë që sipas sektorëve të biletave të drejtohen për hyrjen në stadium dhe konkretisht:

1.Pika e kontrollit midis Rektoratit dhe Mak Albania Hotel: do të hyjnë vetëm tifozët francezë me biletën në sektorin“S” (Jug), si dhe automjetet e autorizuara nga FSHF-ja.

2.Pika e kontrollit tek kolonat midis Rektoratit dhe Muzeut Arkeologjik: do të hyjnë vetëm tifozët VIP me biletën në sektorin“Ë” (Perëndim).

3.Pika e kontrollit midis Pallatit të Kongreseve dhe Hotel Rogner: do të hyjnë vetëm tifozët me biletën në sektorin“N” (Veri).

4.Pika e Kontrollit tek COIN: do të hyjnë vetëm tifozët me biletën në sektorin“N” (Veri).

5.Pika e Kontrollit tek “Piceri Fiore” në rrugën “Dervish Hima”: do të hyjnë vetëm tifozët me biletën në sektorin“E” (Lindje).

Për të qartësuar qytetarët, orientimi i sektorit ku ata kanë biletën, të bëhet sipas specimentit bashkëlidhur njoftimit.

Parkingu i automjeteve në pjesën lindore të stadiumit “Arena Kombëtare”, në datën 17.11.2019, nuk do të funksionojë dhe nuk duhet të mbahen automjete të parkuara gjatë kësaj date.

Aktiviteti sportiv është parashikuar të fillojë në orën 20:45 dhe hyrja e tifozerisë, me qëllim shmangien e konfuzionit, do të nisë në orën 18:30. Ftojmë qytetarët të afrohen pas kësaj ore për të hyrë në stadium dhe mos ta lënë për minutat e fundit.

Sakaq, policia njofton qytetarët shqiptarë se ka hyrë në fuqi ndryshimet në Kodin Penal, në bazë të të cilit klasifikohen vepra penale veprimet e parashikuara në nenin 274/a “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportive” dhe dënohen deri në tre vjet burgim, si dhe konsiderohen vepra penale “Veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive”, të parashikuara në nenin 274/b, si hyrja në fushën e lojës, gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv, pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi masën e njerëzve, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e komunitetit dhe të drejtuesve të automjeteve, të shmangin zonën ku zhvillohet aktiviteti sportiv duke përdorur akse dhe drejtime të tjera lëvizjeje, pasi do të vlerësohej si një ndihmë mjaft e çmuar në mbarëvajtjen dhe garantimin e masave të sigurisë. Falënderojmë qytetarët për mirëkuptimin. (Telesport.al)