Bashkëpunimi sa më i ngushtë mes organeve ligjvënëse të Shqipërisë dhe Danimarkës ishte në qendër të seminarit të zhvilluar gjatë kësaj jave në Kopenhagë, ku morën pjesë zyrtarë të lartë të Shërbimeve të Parlamentit të Danimarkës (Folketinget) dhe të Kuvendit të Shqipërisë.

Seminari u përqendrua në çështje të lidhura me zhvillimin e burimeve njerëzore dhe shkëmbimin e përvojave më të mira në këtë fushë, por gjatë tij u fol edhe për vendosjen e një bashkëpunimi sa më të ngushtë mes organeve ligjvënëse të të dyja vendeve.

Një plan veprimi më i hollësishëm për këtë qëllim do të hartohet në vjeshtë pas takimeve që do të mbajnë zyrtarët e parlamenteve të të dyja vendeve.

Vizita e zyrtarëve të lartë të Shërbimeve të Kuvendit të Shqipërisë në Danimarkë dhe seminari i mbajtur atje u mbështetën nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe u zhvilluan në kuadrin e projektit “Mbështetje për parlamentin dhe edukimin qytetar”, i cili zbatohet nga Prezenca, me fonde zvicerane.