Rikonstruksioni i rrugës turistike Shkodër – Velipojë është drejt përfundimit, në të gjithë gjatësinë e saj prej 18.3 km.

Këto ditë të nxehta vere, pushuesit që kanë zgjedhur plazhin e Velipojës për të kaluar pushimet, nuk kanë asnjë vështirësi për të udhëtuar drejt bregdetit të veriut.

Kryeministri Edi Rama bën të ditur se kjo rrugë është një tjetër aks turistik i shumëpremtuar dhe i shumëpritur për 30 vjet.

“Drejt përfundimit rruga Shkodër – Velipojë, një tjetër aks turistik i shumëpremtuar dhe i shumëpritur për 30 vjet, i cili do të pasohet nga aksi tjetër strategjik për zhvillimin e turizmit në bregun e Adriatikut, Velipojë – Shëngjin”, shprehet Rama.

Rruga financohet nga qeveria shqiptare dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, si pjesë e Projektit për Rehabilitimin e Segmenteve Rrugore Prioritare me impakt të lartë në zhvillimin dhe promovimin e turizmit.

Çdo vit janë rreth 100 mijë turistë që udhëtojnë drejt Velipojës. Përveç turistëve, rruga u vjen në ndihmë afro 15 mijë banorëve të Dajçit, Bërdicës dhe Velipojës, të cilët kanë mundësi të nxjerrin produktet e tyre në treg më shpejt dhe me kosto më të ulët.