Kreu i komisionit hetimor parlamentar i ngritur nga Kuvendi për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, deputeti socialist, Ulsi Manja tha se opinioni i Komisionit të Venecias është një opinion teknik ligjor dhe mjaft i rëndësishëm që do administrohet si provë dhe do ndihmojë komisionin hetimor në përpilimin e raportit final të këtij Komisioni që do i përcillet Kuvendit.

“Në fakt, Komisioni i Venecias ofron ekspertizë cilësore në fushën e ligjit dhe demokracisë dhe veçanërisht në çështjet kushtetuese. Në të gjithë praktikën e bashkëpunimit me këtë komision, duke nisur nga bashkëpunimi në hartimin e Kushtetutës së vitit 1998’ e deri më tani në Reformën në Drejtësi, bashkëpunimi me Komisionin e Venecias ka qenë gjithnjë në nivel teknik. Ne i kemi drejtuar disa pyetje këtij Komisioni. Natyrisht ky komision do t’iu japë përgjigje pyetjeve që i ka bërë komisioni hetimor dhe këto përgjigje do të merren si provë për dokumentin final që do prodhojë komisioni”, tha Manja.

“Komisioni hetimor ka një objekt të përcaktuar, lidhet me kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së Presidentit të Republikës në kuadër të vendimeve të tij për zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Është një çështje tërësisht kushtetuese dhe s’ka si të ketë subjektivitet në opinionin e Komisionit të Venecias”, shtoi Manja.

“Komisioni hetimor është ngritur nga Kuvendi me objekt të përcaktuar dhe ka një afat kohor mbi të cilën duhet shprehur. Janë 55 deputetë të Kuvendit që mendojnë se zhdekretimi i zgjedhjeve është shkelje e rëndë e kushtetutës. Çka do të thotë se marrja e opinionit nga Komisioni Venecias, një opinion miqësorë, është pjesë e të gjithë punës së Komisioni hetimor dhe në fund do jetë pjesë e raportit, ku do jetë qëndrimi jonë. Pra, me pak fjalë ky opinion do jetë një provë që komisioni do ketë në duar për përpilimin e raportit final. Edhe prania e Presidenti dje në Komision hetimor është një provë tjetër. Presidenti dje u thirr si dëshmitar në këtë drejtim”, theksoi Manja.

“Kolegët që përfaqësojnë opozitën në Kuvend e kanë ngritur shqetësimin se Komisioni Venecias mund të japi opinionin e tij pas afatit të paracaktuar nga Komisioni hetimorë për mbylljen e hetimit. Prandaj ne kemi marrë vendimin që eventualisht të shtymë afatin dhe kemi vendosur që do të presim opinionin e Venecias përpara se të përfundojmë punën e Komisionit dhe të hartojmë raportin final”, tha Manja.

“Nëse të gjitha palët do i ishin përmbajtur Kushtetutës, nuk do ishim duke folur sot për Komision parlamentar për hetimin e veprimeve të Presidentit për shkarkimin e këtij të fundit për largimin nga detyra. Kushtetuta ka parashikuar dhe situatat më kritike se kjo që u përjetua në 30 qershor. Pra nëse sot do kishim pasur zbatim të kushtetutës nuk do kishim këto tema që po flasim sot”, shtoi Manja.

“Palët vijojnë të jenë në barrikadat respektive. Ne respektuam 30 qershorin si datë kushtetuese për zgjedhjet dhe opozita që thekson se respektuan dekretin e presidentit të datës 10 qershor dhe nuk njohin 30 qershorin si datë të mbajtjes së zgjedhjeve lokale. Qasja jonë është respektimi i ligjit, teksa i opozitës ekstra ligjore. Në datë 30 qershor fitoi Republika, fitoi Kushtetuta. Këtë e them se po të kishte ndodhur e kundërta, askush ska garanci që nesër opozita e radhës, sa herë t’i mbushet mendja të mos futet në zgjedhje të krijoi një situatë të ngjashme dhe Presidenti i radhës të ndërmarrë nismën për të shtyrë apo anuluar zgjedhjet. Kjo nuk mund të pranohet”, theksoi deputeti socialist.

“Presidenti në dekretin e 10 qershorit ka rreshtuar dhe disa argumente, që lidhen me tensionin politik. Këto argumente që jep Presidenti janë situata hipotetike. Nuk mundet Presidenti të ndërmarri nisma dhe vendime të tilla, për shkak të klimës politike. Kushtetuta ngarkon një seri institucionesh që vlerësojnë rendin dhe sigurinë publike dhe presidenti është njëri prej këtyre. Unë s’di të ketë pasur një vlerësim të institucioneve kushtetuese për të arritur në konkluzion për shkak të tensionit politik. Kushtetuta ka parashikuar rastet kur anulohen apo shtyhen zgjedhjet. Sa i takon djegies së institucioneve që citoi Presidenti, Partia Demokratike dje deklaroi se s’ka pasur axhendë të djegë Kuvendin. Ne që jemi në qeveri s’kemi asnjë interes të djegim institucionet”, shtoi ai

“Presidenti Meta dje na tha se më datë 7 qershor i ka ardhur një shkresë ku flitet për këtë rrezik dhe ne duhet ta kemi këtë shkresë, por pse nuk na është vënë në dispozicion që ditën kur e ka marrë shkresën. Përse nuk ka thirrur Këshillin Kombëtarë të Sigurisë?”, thekson Manja.

“Por, ky argument i Presidentit sërish nuk i jep të drejtën atij të marrë vendimin për zhdekretimin e datës së zgjedhjeve, pasi Kushtetuta e ka të parashikuar qartë rrugën që duhet ndjekur në këto raste”, tha kreu i komisionit hetimor parlamentar për shkarkimin e presidentit Meta, Ulsi Manja.