Sot në orën 11:00 do të mblidhet Komisioni i Posaçëm Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Komisioni do të mblidhet për të shqyrtuar opinionin e Komisionit të Venecias, që theksonte se Meta tejkaloi kompetencat, por shkelja nuk është aq e rëndë sa Presidenti të shkarkohet. Gjithashtu do të shqyrtohet edhe raporti sekret nga SHISH, ku kreu i shtetit deklaroi se u bazua për të anuluar me dekret zgjedhjet e 30 Qershorit.

Ndërkohë që pjesë e objektit të komisionit pritet që të bëhet edhe kërkesa e PS-së, që akuzon Metën për shkelje të tjera këtë herë për emërimin e Marsida Xhaferllarit në Kushtetuese. “Dekreti i Metës, për të emëruar Marsida Xhaferllarin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese dhe veprimet e tjera të presidentit përbëjnë shkelje shumë të rënda të Kushtetutës dhe këto shkelje duhet të shtohen në objektin e punës dhe planin e Komisionit Hetimor” tha kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla dy ditë më parë.