Pesë ditë para ndeshjes inauguruese të stadiumit Arena Kombëtare me ndeshjen Shqipëri-Francë, burime të Report TV në Federatën Shqiptare të Futbollit bëjnë me dije se janë shitur të 22 mijë biletat. Kurioziteti për impantin e ri, tashmë të certifikuar nga UEFA, si dhe dëshira për të parë kampionët e botës ka sjellë një ‘sold-out’ në takimin e parë për Arenën Kombëtare.

Shitja e biletave për këtë takim ka filluar që me datë 1 nëntor dhe ka zgjatur 11 ditë. Ndeshja me Francën është e vlefshme për kualifikueset e Europianit dhe është e fundit për Grupin H.

Ndërkohë komplet ndryshe paraqitet situata për takimin tjetër që kombëtarja do të luajë të enjten kundër Andorës. Ka qenë FSHF që ka njoftuar se për këtë sfidë deri më tani janë shitur vetëm 2 mijë bileta. Kjo ka qenë edhe arsyeja që trajneri Edy Reja i ka bërë thirrje tifozëve kuqezi që t’i mbështesin në Elbasan.

Ndërkohë pas inspektimeve të UEFA-s në ambientet e “Arenës Kombëtare” gjatë sfidës së kampionatit të femrave mes Vllaznisë dhe Apolonisë, Federata Shqiptare e Futbollit ka marrë disa detyra mjaft konkrete.

Ato kanë të bëjnë me orientimin e tifozëve, menaxhimin dhe kontrollin e tyre në impiant. Gjithashtu, është kërkuar largimi i makinerive në gjithë perimetrin e stadiumit.

Si për të hequr çdo hije dyshimi, UEFA ka zyrtarizuar se dueli i 17 nëntorit mes Shqipërisë dhe Francës, e vlefshme për Euro 2020 do të luhet pikërisht në këtë impiant.

Sinjalistika në stadium dhe ambientet e jashtme duhet të bëhet deri të mërkurën. Po ashtu, është kërkuar pajisja me ndriçim e hyrje-daljeve të stadiumit si dhe ambientet përrreth tij.