Lajmi se një e mitur u rrëmbye në Tiranë tronditi jo pak shqiptarët teksa lexonin morinë e portaleve. Pati nga ata artikullshkrues që lajmin e shoqëronin me foto ilustruese nga rastet në botë, pa bërë asnjë shënim.
Fatmirësisht, e mitura nuk ishte rrëmbyer, aq më tepër nga dy persona me maska sikurse thuhej 24 orë më parë.

Fatkeqësisht ky është lajmi i dytë i rremë që u serviret qytetarëve në një hark të shkurtër kohor, vetëm se rasti i së premtes u bë më tepër i besueshëm pasi u pasqyrua edhe në televizionet informative. Sigurisht që lajmet e rreme në Shqipëri kanë qenë të pranishme prej vitesh, por më parë ato buronin nga selitë e partive dhe ishin në shërbim të luftës politike. Sot lexuesi po përballet me një formë edhe më të rrezikshme të tyre, atë të kronikës së zezë.

Rastet e “fakë news”-eve ai ai i tërmetit apo ky i rrëmbimit, duhet të shërbejnë së pari si një apel për të rregulluar tregun mediatik me ligj apo me konsensus mes drejtuesve. Dhe së dyti, si një apel për vetë njerëzit e punësuar në media që pa ua kërkuar kurrkush guxojnë të ‘zbukurojnë’ me fantazitë e tyre një histori rozë duke e kthyer në kronikë të zezë me pahir.
Kjo histeri mediatike për disa klikime më shumë nuk ka asnjë vlerë përpara panikut që përhap, tronditjes që shkakton dhe emrit të keq që i jep vetë profesionit të gazetarit. Aq më tepër kur këto klikime nuk përkthehen as në para dhe as në famë për logon një mediaje.Një vend i vogël si Shqipëria nuk është aspak imune ndaj lajmeve të rreme. Deri tani, le të shpresojmë që ato nuk ‘orkestrohen’ nga jashtë dhe secili gazetar të bëjë të tijën për më tepër paqe në shpirtrat e shqiptarëve.
A. Rada