Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti amerikan, Donald Trump do të jetë lideri i parë i huaj që do të takohet në muajin maj me perandorin e ri të Japonisë, Naruhito.

Trump dhe Zonja e Parë, Melania do të vizitojnë nga data 25 deri më 28 maj Japoninë, ku do të jenë të ftuarit e parë të shtetit pas marrjes zyrtarisht më 1 maj të fronit nga ana e princit trashëgimtar, Naruhito.

Në një komunikatë për shtyp zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders bëri të ditur se ”kjo vizitë shtetërore do të ndikojë në forcimin e lidhjeve të ngushta mes dy popujve, atij amerikan dhe japonez dhe do të nxjerrë në pah rëndësinë e qëndrueshme të aleancës dhe partneritetit tonë”.

Pas takimit me perandorin e ri, Donald Trump do të marrë pjesë në një samit dypalësh me kryeministrin japonez, Shinzo Abe, të cilin do ta presë më parë në Uashington më 26 dhe 27 prill, ku në fokus pritet të jetë denuklearizimi i Koresë së Veriut.