Duke akuzuar Presidentin Donald Trump për “nxitje të dhunës”, udhëheqësit demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve e paralajmëruan hapur atë dhe administratën e tij të mërkurën që të mos frikësojnë dëshmitarët e mundshëm në hetimin e tyre që synon ngritjen e akuzave për shkarkimin e tij.

Ata thanë se po përgatitnin kërkesën që Presidenti të dorëzojë dokumente që lidhen me marrëdhëniet e tij me Ukrainën. Kryetarja e Dhomës, Nancy Pelosi tha se Presidenti Trump mund të mos e kuptojë se sa të rrezikshme janë deklaratat e tij “kundër kallëzuesit që ekspozoi një telefonatë të muajit korrik mes Presidentit Trump dhe Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy. Gjatë telefonatës, sipas informatorit, zoti Trump bëri presion për një hetim ndaj rivalit politik demokrat Joe Biden dhe familjes së tij.

Kryetari i komisionit të zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve, Adam Schiff, duke akuzuar zotin Trump se po bënte thirrje për dhunë kundër informatorit, tha se çdo përpjekje për të ndërhyrë në hetimet e demokratëve do të konsiderohej si provë për pengim të drejtësisë dhe mund të përfshihej në akuzat për shkarkimin e tij.

“Ne nuk po bëjmë shaka”, tha ai.

Presidenti Trump nuk dha ndonjë shenjë se do të ndalej. Gjatë konferencës për shtyp të drejtuesve të Dhomës, ai shkroi në Twitter: “Demokratët që nuk janë të mirë për asgjë duhet të përqendrohen te ndërtimi i vendit tonë.”

Duke hedhur kritika, ai sulmoi zotin Schiff duke e quajtur “njeri të llumit” dhe tha se San Francisko-ja e Kryetares së Dhomë, Pelosit është shndërruar në një “qytet tendash” për të pastrehët.

Ditët e fundit, Presidenti Trump ka komentuar në Twitter se ai dëshiron të “mësojë rreth informatorit” dhe t’i bëjë pyetje atij, megjithëse identiteti i personave që tillë mbrohet me ligj.

Demokratët thanë se të premten ata do t’i kërkojnë zyrtarisht Shtëpisë së Bardhë dokumente në lidhje me marrëdhëniet e zotit Trump me Ukrainën, duke përmendur “mosrespektimin flagrant” të kërkesave të tyre të mëparshme për informacion.