Levizje te reja ne sherbimet inteligjente amerikane. Në udhëheqjen e agjencisë kryesore të zbulimit amerikan këto ditë ka patur disa lëvizje. Por Presidenti Donald Trump ende nuk ka njoftuar publikisht se cilin do të emërojë drejtor të përhershëm të zbulimit kombëtar. Presidenti Donald Trump tha në një koment në Twitter se kishte pranuar të enjten vonë dorëheqjen e Zëvendës Drejtoreshës Kryesore të Zbulimit Kombëtar, Sue Gordon, e cila para pak kohe njoftoi se përgatitej të merrte postin e drejtoreshës në detyrë të kësaj agjencie.

“Sue Gordon është tani atje. Ajo më pëlqen shumë. Gjithmonë më ka pëlqyer Sue Gordon. Por ne do të bëjmë një zgjedhje tjetër. Ajo sigurisht do të merret parasysh për t’u bërë drejtoreshë në detyrë. Me siguri do të flasim për këtë ose sot ose javën tjetër,” tha Presidenti Trump në një koment të mëparshëm me gazetarët. Nga letra e dorëheqjes së zonjës Gordon drejtuar Presidentit thuhet se dilte qartë që ajo nuk po largohej me dëshirën e saj.

Ajo i tha Presidentit Trump se letra ishte një akt respekti dhe patriotizmi, jo preferencë, dhe se ai duhet të caktonte aty ekipin që dëshironte. Largimi i zonjës Gordon vjen më pak se dy javë pasi drejtori i zbulimit kombëtar, Dan Coats, njoftoi se do të largohej më 15 gusht.

Në Twitter, Presidenti Trump tha se, admirali në pension, Joseph Maguire, ish-drejtor i Qendrës Kombëtare të Kundërterrorizmit, do të bëhej drejtor në detyrë i zbulimit kombëtar më 15 gusht, ditën kur hyjnë në fuqi dorëheqjet e zotit Coats dhe zonjës Gordon. Presidenti Trump ende nuk ka njoftuar publikisht se cilin do të emërojë drejtor të përhershëm të zbulimit kombëtar. (Bw)