Vizita e zëvendës ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer u prit me një interes të veçantë në Shqipëri, për shkak të situatës së rënduar politike, ndërsa ishin të shumtë ata që hoqën paralele me ndërhyrjen amerikane për zgjidhjen e krizës në vitin 2017.

Por vetë zoti Palmer tha prerë se nuk kishte ardhur në Tiranë për të negociuar një zgjidhje, dhe as për të mbështetur një zgjidhje të caktuar.

Që prej muajit shkurt opozita është larguar nga parlamenti, duke hequr dorë në bllok nga mandatet e deputetëve të saj.

“Mendoj se mjete si bojkotimi i zgjedhjeve apo djegia e mandateve janë thelbësisht në kundërshtim me praktikat demokratike.

Prandaj do të nxisja partitë e opozitës që të kërkojnë mënyra për t’u riangazhuar në procesin politik, dhe mendoj se zgjedhjet lokale të qershorit janë mundësia më e mirë për ta bërë këtë sa më parë.

Nëse ka një mundësi për dialog me qeverinë mbi reformat zgjedhore, mendoj se ata duhet ta ndjekin këtë mundësi”, u shpreh zoti Palmer.

Sipas tij, nëse kjo nuk do të ndodhte, atëherë do të ishte një fatkeqësi për opozitën.

Kjo e fundit kërkon dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeverie kalimtare që të përgatisë zgjedhje të parakohshme, duke e konsideruar si parlamentin, ashtu dhe qeverinë, si ilegjitime.

Por për zotin Palmer “Shqipëria ka një qeveri të zgjedhur sipas rregullave, është një partnere e Shteteve të Bashkuara, me të cilën punojmë mirë dhe ngushtë.

Institucionet e qeverisë janë funksionale, janë legjitime, Shqipëria nuk ka problem në marrjen e vendimeve, në miratimin e ligjeve, dhe unë kam besim se kjo qeveri do ta çojë vendin drejt një të ardhmeje europiane, do të jetë në gjendje të vazhdojë të veprojë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në zbatimin e reformës në drejtësi, në kryerjen e vetingut që është i rëndësishëm për t’u dhënë shqiptarëve besimin në administrimin e drejtësisë.

Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me autoritetet përkatëse, përfaqësuesit e votuar, dhe zyrtarët e qeverisë së Shqipërisë për të përmbushur këto qëllime dhe objektiva”.

Pra, e vetmja zgjidhje që ofron SHBA, për situatën në të cilën opozita e ka futur veten, është që të marrë pjesë në zgjedhjet vendore, për të hyrë sërish në sistem.

Ndryshe, siç tha edhe zoti Palmer, do të ishte një fatkeqësi për opozitën.(TemA)