Xherdan Shaqiri i ka luajtur vetëm 11 minuta në ndeshjet e këtij sezoni të Premierligës, mirëpo ai e ka bërë të qartë se marrëdhënia e tij me trajnerin e Liverpoolit Jurgen Klopp është mjaft e mirë dhe se ai është shumë afër ta zë një vend në formacionin e parë. Ylli zviceran me origjinë shqiptare, Xherdan Shaqiri, i ka regjistruar vetëm 11 minuta lojë në 12 ndeshjet e këtij sezoni të Premierligës për Liverpoolin, duke u inkuadruar nga stoli në vetëm dy ndeshje – atë kundër Burnleyt dhe atë kundër Newcastle.

Përderisa Shaqiri ka mbetur në stol për katër ndeshje të tilla, ai është lënë nga skuadra dy herë, ndërsa e ka pasur të pamundur të luajë për shkak të lëndimeve në katër ndeshje të tjera. Përkundër kësaj, Shaqiri ka bërë të ditur se ai ndien që është afër të kthehet në ekipin e parë të Liverpoolit.

“E kam një marrëdhënie shumë të mirë me të. Ai na e bën punën tonë shumë më argëtuese. Jam i lumtur. Jam relativisht afër të jem në ekipin e parë të Liverpoolit, në fakt jam shumë afër”, ka thënë Shaqiri.

Shaqiri u transferua në Liverpool nga Stoky City në korrik të vitit të kaluar për 13.5 milionë funte. Në intervistën e dhënë për Blick, ai ka bërë të ditur se ende jeton në shtëpinë e tij të vjetër në Mançester dhe se ende s’ka qenë asnjëherë në qendrën e qytetit të Liverpoolit. “Unë ende jetoj në Mançester, në shtëpinë e njëjtë ku jetoja gjatë kohës time në Stoke. Të jem i sinqertë, nuk kam qenë kurrë në qendër të Liverpoolit, përveç në hotelin e skuadrës”, ka thënë Shaqiri.

“Lojtarët më kanë thënë se është paksa e vështirë të shkosh atje, pasi që njerëzit të afrohen shumë. A është e rrezikshme sepse ka tifozë të Evertonit? Nuk e di. Mendoj se nëse sillesh mirë, asgjë s’do të të ndodhë”. “Por, kur jemi në hotelin e skuadrës në qytet të premteve, mund t’i dëgjojmë njerëzit jashtë në orën 11 të natës apo në mesnatë. Mendoj se kornizat e dritareve në Angli s’janë aq të trasha sa në Zvicër”.