Nga Aleko Miho, Departamenti i Biologjisë, FShN, UT.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit (MTM) kanë marrë një nismë për shqyrtimin dhe vlerësimin e Rrjetit Kombëtar të Zonave të Mbrojtura (ZM), me qëllim njohjen e vlerave të veçanta të ruajtjes (kombëtare e ndërkombëtare), dhe ‘pastrimin’ e rrjetit nga zona që nuk përmbushin kriteret, si dhe propozimin e zonave të reja për t’u mbrojtur në të ardhmen. Për këtë është ngarkuar Shoqata Kombëtare të Parqeve të Shqipërisë (SHKPSH), e cila bashkë me një grup ekspertësh po sjellin propozime për kufijtë e rinj të ZM-ve, duke organizuar takime këshillimore me ekspertë të tjerë, dhe me palë të interesuara vendore për secilën zonë nën shqyrtim.

Në parim nuk shoh asgjë të keqe që sistemi të rishihet, dhe për secilën zonë të dihet qartë zonimi i jashtëm, nënzonat e brendshme të tyre, vlerat natyrore përkatëse, si dhe presioni nga ndikimi i njeriut; por dhe të saktësohen gjithë të drejtat dhe detyrimet që duhet të mbahen parasysh nga administratorët dhe gjithë palët vepruese në secilën ZM. Kjo do të bënte që AKZM dhe gjithë vendimmarrja të siguronte një mbrojtje reale të gjithë sistemit, dhe jo si thuhet sot rëndom ‘mbrojtje vetëm në letër’. Por e gjithë kjo nuk mund të bëhet njëherësh për gjithë sistemin, dhe për më tepër për një periudhë të përshpejtuar disamujore. Nga sa unë di, sistemi shqiptar përfshin rreth 800 zona të mbrojtura të kategorive, me sipërfaqe prej mbi 460 mijë ha ose rreth 17% të gjithë territorit të vendit. Dhe e gjithë kjo punë mbështetur në të dhënat e mbledhura nga një grup i vetëm ekspertësh, dhe me dëgjesa eskpertësh dhe të palëve nëpër takime të ndryshme; për më tepër, kjo duket edhe jo shumë e mbështetur në Ligjin 81/2017: Për zonat e mbrojtura.

Kjo qe arsyea që shumë ekspertë universitarë dhe përfaqësues të 22 shoqatave mjedisore dërguan një letër në MTM ku shprehet qartë shqetësimi dhe dyshimet për këtë proces. Nga këto, si dhe nga takimi ynë në Ministri, dua të ndaj disa mendime, me dëshirën se mund të ndihmojnë vendimmarrjen në radhë të parë, por edhe ekspertizën për të ndjekur rrugën e duhur profesionale, larg çdo lloj presioni apo dhe dyshimi që buron nga mënyra shqiptare e zhvillimit të verbër në gjithë këto vite, në dobi të mbrojtjes së natyrës dhe shfrytëzimit të qëndrueshëm të burimeve tona natyrore.

Së pari, nga rishikimi i rrjetit të ZM-ve, ndër të tjera të bie në sy prirja për të zvogëluar hapësirën e zonave të mbrojtura bregdetare (Bunë-Velipojë; Kune-Vain-Tale; Patok-Fushë Kuqe; Divjakë-Karavasta; Delta Vjosë-Nartë; Butrint); kjo jo pak po me 20-30% të sipërfaqes së tyre, me justifikimin se janë hapësira urbane, apo toka bujësore që nuk përmbajnë vlera natyrore. Për mendimin tim kjo është padije shkencore dhe ligjore njëkohësisht, lidhur me funksionimin e ZM-ve. Hapësirat që propozohen për heqje gjenden brenda kufirit ekologjik të funksionimit të një hapësire të mbrojtur, dhe ndihmojnë në zbutjen e ndikimeve të njeriut mbi nënzonën qëndrore. Sipas rastit, për secilën ZM në veçanti, këto hapësira mund të bëjnë pjesë në nënzonën e përdorimit tradicional dhe të qëndrueshëm, në nënzonën e rekreacionit, apo në nënzonën buferike. Si të tilla janë të lidhura në mënyrë organike me pjesën qëndrore të zonës së mbrojtur, qoftë si tokë bujqësore, e degraduar apo me përdorim intensiv, qoftë si hapësirë urbane, qytet apo si fshatra dhe peizazh kodrinor rural. Këtu dua të citoj se vetë Ligji 81/2017 saktëson se ‘zonë buferike është hapësira e kufizuar, në periferi të zonës së mbrojtur mjedisore, që shërben për parandalimin ose zbutjen e ndikimeve ekologjikisht të dëmshme në mjediset dhe elementet e rëndësishme të zonës së mbrojtur’ (Neni 3, pika 30); këshilloj ekspertët të njihen më mirë edhe me Nenin 13, pika 2, lidhur me ndarjen në nënzona të territorit të zonës së mbrojtur.

Nga takimet me përfaqësues të MTM, duket se kjo mendësi e ekspertëve për zvogëlim të sipërfaqes përputhet edhe me një farë dëshire nga vetë vendimmarrja. Argumentat janë se nuk mund t’i menaxhojmë dot për gjithë problematikën e tyre që ato kanë në zonat urbane dhe bujqësore; shumë nga këto zona nuk kanë harta të qarta; nuk dihen ku janë kufijtë e saktë; nuk dihet kush është zonimi i tyre i brendshëm; për zonën e Nartës ka plane ’të mëdha’; etj.; etj. Të gjitha këto janë arsye për të justifikuar rishikimin e zonave, por jo heqjen e këtyre hapësirave nga hapësira e mbrojtur. Kjo bën që t’i zhveshësh zonat e mbrojtura vetë, ‘me duart e tua, – kur i thonë’, duke ulur më tej shkallën e mbrojtjes së tyre! Dhe për më keq, kjo duke përdorur edhe vetë gjuhën e eskpertëve!

Nga përvoja, para viteve 2000, unë me shumë ekspertë të tjerë vendas dhe të huaj, gjermanë, grekë dhe maqedonas, ekspertë të natyrës (biologji, gjeografi), por dhe të veprimtarisë së njeriut (pylltari, peshkim, bujqësi, turizëm), punuam për mbi 3 vite për shpalljen e zonave të mbrojtura në pjesën shqiptare të Ohër-Prespës. Paketa që dërguam në Ministrinë e Mjedisit të asaj kohe ishte shumë e madhe dhe me harta shumë të qarta mbi kufijtë e zonimit nga jashtë brenda. Projektvendimi ynë ishte gati mbi 20 faqe, mbështetur në përvojën gjermane. Për secilën nënzonë jepeshin vlerat natyrore, por edhe gjithë të drejtat, detyrat për gjithë palët vepruese brenda zonës, banorë të zonës dhe pushteti vendor, madje edhe gjithë ndëshkimet për çdo rast thyerje. Ndotësi paguan, – thotë edhe sot ligji ynë! Për këtë gjithë subjektet, që me veprimet apo mosveprimet e tyre, përdorin, ndotin dhe/apo dëmtojnë mjedisin brenda e jashtë zonës së mbrojtur, marrin masa parandaluese, por dhe paguajnë për rehabilitimin e tij (Ligji 81/2017, Neni 4). Kjo ishte përvojë e parë, e cila nga sa unë di u pasua për gjithë zonat tona të mbrojtura, Butrint, Deltë e Vjosës-Nartë, Divjakë-Karavasta, Velipojë e gjetkë. Madje disa prej tyre janë studjuar edhe më thellë nga ekspertët, për status ndërkombëtar, si zona RAMSAR, Natura 2000, Rezervë Biosfere, IBA, IPA etj.

Për çudinë tonë VKM-ja në vitin 1999 për shpalljen e zonave të mbrojtura të Ohër-Prespës kishte vetëm një gjysëm faqe, thjesht ca koordinata për kufijtë, dhe një hartë të fotokopjuar keq, dhe asgjë nga këto që përmenda më sipër! Qeveritë tona janë shumë ‘sportive’ kur është fjala për mjedisin! U bien shkurt gjërave, për të mos patur andralla nëpër këmbë. Por dokumentet duhet të jenë nëpër arkiva, dhe ndoshta duhet të vihen në dispozicion sot të AKZM-së, si agjenci relativisht e re, dhe të adminstratave të secilës ZM. Edhe pse edhe këtu unë kam dyshimet e mia që me gjithë reformimet e ministrisë së mjedisit, dhe çvendosjet e selive që çdo qeveri e re ka bërë në vite, mund të ketë ndodhur që këto dosje të kenë shkuar në Sharrë për ‘gjumin e përjetshëm’! Nuk do ta uroja kurrë të ndodhte një gjë e tillë!

AKZM duhet t’i gjejë ku janë e ku s’janë këto dosje, dhe sot me grupin e ekspertëve të ngritur të saktësojë më mirë se ku shkojnë kufijtë anësorë, dhe ata të brendshëm. Të saktësojë për secilën zonë se cilat janë vlerat natyrore që duhen mbrojtur dhe të drejtat dhe detyrimet e palëve që veprojnë në to. Unë mendoj se nuk mundet AKZM dhe strukturat e saj të menaxhojë çdo gjë që ndodh brenda një zone të mbrojtur! Kjo është e pamundur, si për larminë e çështjeve që lidhen me zhvillimin e zonës, por edhe për kapacitetin e kufizuar që ka agjencia dhe apo administrata e çdo zone të mbrojtur. Këtë mund ta bëjë shumë mirë pushteti vendor, mjafton të jenë sqaruar mirë cilat janë kërkesat dhe detyrimet që duhet të përmbushen.

Së dyti, po në këtë mendësi, grupi i ekspertëve ndërton një pyetësor ku rendit një listë me rreth 15 zona të mbrojtura, të cilat nuk duhet të jenë pjesë e rrjetit kombëtar të ZM-ve, pasi sipas mendimit të tyre nuk përmbajnë vlera të spikatura natyrore. Edhe kjo mënyrë ekspertize nuk më duket aspak e mënçur dhe profesionale. Madje heqja me pyetësor, me takime në tavolinë dhe dëgjesa të palëve vendore nuk më duket as dhe e ligjshme. Ashtu si shpallja e një zone të mbrojtur bëhet rast pas rasti pas një studimi disavjeçar të një grupi të gjërë ekspertësh, për mua edhe heqja duhet të ndjekë po të njëjtën rrugë! Madje duhet të argumentohet po nga ekspertët se çfarë do të ndodhë për secilën nga këto zona pas humbjes së statutit të mbrojtjes. Po kjo rrugë duhet të ndiqet edhe për hapësirat urbane dhe tokat bujqësore, që sot kërkohet të hiqen nga ZM-të e tjera bregdetare. Këtu ata duhet të argumentojnë në se heqja e këtyre hapësirave, ‘pa vlerë’ sipas tyre, e rrit apo e ul më tej shkallën e mbrojtjes së hapësirës tjetër që mbetet e mbrojtur.

Si ekspert nuk do vija kurrësesi në listën për heqje Parkun Natyror të Rrushkullit (649.76 ha; shpallur në 1995), ndër njollat e rralla që kanë mbetur në gjithë bregdetin shqiptar, të pyllit riparian Mesdhetar dhe të pyllit të përzier aluvial. Nuk do vija as Parkun Natyror të Levanit (198.24 ha, 1977), e cila është ndër njollat e pakta të dushkajave të mbetura në vend. Po ashtu mendoj edhe për Pyllin e Maliqit (44.6 ha; 1996; Monument Natyre), si një njollë relikte e ish kënetës së dikurshme të Maliqit. Po si kjo është edhe hapësira e Kënetës së Zezë nё Roskovec, njollë relikte e kënetës së dikurshme, e cila nga sa di është ende pa status mbrojtje edhe pse me vlera natyrore dhe bologjike të rralla. Monumenti Natyror i Ujit të Ftohtë, Tepelenë (1996; 327.93 ha) është për mua gjithmonë simbol i natyrës, dhe është jo vetëm detyrim, por edhe nder për ta patur në sistemin e ZM-ve. Nuk mund të flas për zonat e tjera të ‘tenderuara’ nga ekspertët për t’i hequar nga lista e sistemit të ZM-ve sepse nuk i njoh mirë, si Balloll (1977; 329.92 ha), Berzanë (1977; 879.31 ha), Bogovë (1977; 330.32 ha), Cangonj (1977; 250.02 ha), Dardhë – Xhyrë (1996; 400 ha), Krastafillak (1977; 249.93 ha), Kurora e Semanit (1996; 77.85 ha), Luzni – Bulac (1996; 5,895.51 ha), Nikolicë (1996; 509.63 ha), Piskal – Shqeri (1996; 5,395.75 ha), Polis (1996; 45.1 ha), Tej Drini Bardhë (1996; 29.98 ha), Vlashaj (1996; 50 ha).

Kuptohet këto rezervate natyrore të ‘ndëshkuara’ për t’u hequr, si dhe shumë hapësira të tjera të mbrojtura, pësuan dëmtime në vitet e tranzicionit, fillimisht për lëndë druri, më pas nga ndërtimet dhe gjuetia e paligjshme, për vjelje guri, bimësh mjekësore etj. Të gjitha mbeten edhe sot nën presionin e zhvillimit të paskrupullt të turizmit, urbanizimit me leje dhe pa leje, por dhe të ndotjes së lumenjve që kalojnë pranë tyre. Heqja e statusit të mbrojtjes do t’i shkatërrojë ato përfundimisht! Por unë kam gjithmonë bindjen se po qe se mbrohen sa duhet fuqia ripërteritëse e natyrës dhe vlerave përkatëse të tyre mund të rikthehet. Ashtu si shihet për rezervatin Rrushkull-Hamallaj, për dushkajën e Levanit. Mjafton të vizitoni PK të Prespës, dhe rigjallërimin e tij sot, dhe ta krahasoni me 20 vite më parë, kur në atë kohë në dushkajën e rrëgjuar kishin filluar të nxirrnin dhe kukat (rrënjët) e lisave për dru zjarri!

Paramendimi për heqjen e hapësirave nga sistemi i ZM-ve është rruga më e lehtë, por mjaft e rrezikshme për mbijetesën e vetë zonës së mbrojtur. Kjo është edhe më e mprehtë për vetë hapësirën tonë bregdetare ku presioni i njeriut është maksimal. Ndërtimet me funksion turistik, por jo miqësor me mjedisin, kanë hyrë deri edhe brenda nënzonës qëndrore të disa ZM-ve në vend. Sot dëgjojmë edhe për plane për ndërtime turistike dhe infrastukturë ndihmëse brenda ZM-ve Divjakë-Karavasta, Delta e Vjosës-Nartë etj. Ndërtimet e HEC-eve brenda zonave të mbrojtura të Luginës së Valbonës, Hotovë-Dangellisë, Shebenikut, Lurës, etj. nuk duket se janë aspak miqësore me integritetin dhe funksionin normal të zonës së mbrojtur. Këshilloj fort që vendimmarrja të heqë dorë nga planet zhvillimore jo miqësore brenda hapësirave të zonave të mbrojtura. ZM-të nuk duhet të preken, çfarëdo qoftë arsyea! Për më tepër, sot jepen leje për ndërtime të tjera HEC-esh brenda zonave potencialisht të mbrojtura, si në Vjosë dhe degët lumore të saj, në Cem, Theth etj.

Është më se natyrshme se mbrojtja e mjedisit është e lidhur ngushtë me zhvillimin ekonomik të vendit. Por vetë Ligji 81/2017 kërkon përfshirjen dhe zbatimin e politikave të mbrojtjes së mjedisit me ato të zhvillimit ekonomik, parandalimin e pasojve negative dhe i marrjes së masave paraprake, duke ndjekur politika dhe bazë ligjore të përshtatshme etj. Po ky Ligji saktëson ‘përdorimin e qëndrueshëm të zonave të mbrojtura mjedisore, duke integruar elementë të tij në strategjitë, planet, programet dhe vendimmarrjet e të gjitha niveleve’. Mjafton të zbatohet ligji për këtë frymë zhvillimi!

Së treti, ka një dëshirë nga vendimmarrja për të shtuar hapësira të reja për mbrojtje, madje me një premtim tepër të bujshëm, duke shtuar sipërfaqen e mbrojtur në vend në mbi 20% të territorit shqiptar. Nuk kam aspak kundërshtim, madje shkëlqyeshëm! Por, kjo nuk duhet të jetë justifikim për të mbuluar zvogëlimin e sipërfaqes së ZM-ve në bregdet, apo heqjes fare të disa zonave të tjera të sipërpërmendura. Por edhe këtu unë dua të nxit ekspertët për të mbështetur me përparësi mbrojtjen e hapësirave me rrezikshmëri të lartë kërcënimi nga ndërhyrjet e veprimtarisë së njeriut (Ligji 81/2017, Neni 11, pika f).

Shumë kanë dije për përpjekjet pa fund që po bën opinioni shkencor ndërkombëtar dhe vendas për të bindur qeverinë shqiptare për të mbrojtur lumin Vjosë nga digat, nga ndërtimi i HEC-eve dhe plane të tjera ndërtimore në dëm të shkatërrimit të këtij ekosistemi lumor të rrallë me rëndësi europiane. Sot nuk ka diskutim që lumi i Vjosës në të gjithë rrjedhën e tij dhe të degëve të tij është një pasuri natyrore me vlera të mëdha hidrologjike, sedimentologjike, biodiversiteti (llojore dhe habitatesh lumore etj.). Për këto vlera çështja e Vjosës është sot nën vëmendjen edhe të Konventës së Bernës. Vetë raportet e Progresit të KE kanë theksuar kërkesën për të mbrojtur lumenjtë nga planet ndërtimore të HEC-eve, si dhe në veçanti mbrojtjen e lumit Vjosës. Vendosja e peizazhit lumor të Vjosës dhe degëve të saj në listën e zonave që propozohen për mbrojtje duhet të jetë në përparësi të shtimit të sistemit të ZM-ve. Shpallja e Parkut Kombëtar të parë të Lumit të Egër të Europës do përbënte risi pozitive edhe ndaj zbatimit të detyrimeve që burojnë nga Konventat Ndërkombëtare, si Konventa e Bernës, e Habitateve, Natura 2000 etj.

Për të gjitha nga sa më sipër unë këshilloj që rishikimi i hapësirave egzistuese dhe propozim për mbrojtjen e hapësirave të tjera që kërcënohen nga projektet ndërtimore të jetë sa më shkencërisht i mbështetur, nën frymën e shfrytëzimit të qëndrueshëm të pasurive tona natyrore, kërkesë që buron që nga Kushtetuta jonë, ‘shfrytëzimin racional të pyjeve, ujërave, kullotave dhe burimeve të tjera natyrore mbi bazën e parimit të zhvillimit të qëndrueshëm’ (Neni 59, Pika dh), e ritheksuar edhe në Ligjin 81/2017, Neni 4. Për mendimin tim kjo është edhe një nga Çelesat për të hapur Portën e Asocimit në Europë!