Sergio Ramos ka dhënë një intervistë për prestigjiozen italiane, “Gazzetta dello Sport”. Aty iu është përgjigjur disa pyetjeve me “spec”, ku ka veçuar Cristiano Ronaldon si një nga futbollistët më të mirë, me të cilin ka luajtur, por nuk harron as Ronaldon tjetër, brazilianin, “Fenomenin”.

A është Cristiano Ronaldo lojtari më i madh, me të cilin keni luajtur ndonjëherë?

Është një pyetje me të vërtetë e vështirë, sepse kam luajtur me kaq shumë yje, por Cristiano është pa dyshim një nga më të fuqishmit në historinë e Realit dhe futbollit. Unë nuk do të harroja brazilianin Ronaldo, Roberto Carlos, Zidane, Casillas, Raul.

A mendoni se Van Dijk e meriton “Topin e Artë”?

Ky është një çmim individual, ndërsa futbolli është sport ekipor. Holandezi është pa dyshim një nga mbrojtësit më të mirë në botë dhe e ka treguar këtë. Megjithatë, kriteret me të cilat jepet ky çmim nuk janë të qarta. Do të isha shumë i lumtur nëse një mbrojtës e fiton atë, siç ndodhi me Cannavaro.

Cili ishte idhulli juaj, kur ishit fëmijë?

Unë i kam dashur sulmuesit, sepse kur je i vogël je i tërhequr nga ata që shënojnë gola. Më pëlqenin shumë Ronaldo (Fenomeni), Caniggia dhe Crespo, sepse unë i doja modelet për t’i ndjekur me flokë të gjatë. Pika referimi ishin Maldini, Hierro, Pablo Alfaro dhe Javi Navarro.

Çfarë mendimi keni për Premier League?

E kam admiruar gjithmonë këtë kampionat, i cili, së bashku me La Liga-n, ndiqet në të gjithë botën. Unë e admiroj ritmin, intensitetin dhe cilësinë e lojtarëve të kampionatit në Angli. Por, gjithmonë kam qenë i lumtur te Real Madridi dhe nuk e kam konsideruar kurrë largimin nga ky ekip”.

Një vlerësim për Paul Pogba?

Ai i jep shumë ekuilibër skuadrës në aspektin mbrojtës dhe ka një talent të lindur. Paul shënon, ka gjendje të jashtëzakonshme fizike. Reali i ka gjithmonë dyert e hapura për lojtarët e shkëlqyer.