Samiti i Berlinit i thirrur nga Kancelarja gjermane Merkel dhe Presidenti francez Emmanuel Macron, me pjesëmarrjen e udhëheqësve të Serbisë, Kosovës, Malit të Zi, Shqipërisë, Maqedonisë Veriore, Kroacisë, Sllovenisë dhe Bosnje-Hercegovinës, si dhe përfaqësueses së lartë të BE-së për Politika e jashtme, Federica Mogherini, ka bërë jehonë në mediat botërore.

Gazeta prestigjoze italiane “Corriere della sera” i ka kushtuar një shkrim të gjatë Samitit të Berlinit mbi të ardhmen e Ballkanit. Sipas korespondentit të gazetës, Paolo Valentino, “takimi i nivelit të lartë për Ballkanin Perëndimor në Berlin, ka shërbyer për të hapur një dialog të përgjithshëm për të shmangur destabilizimin e një rajoni që kurrë nuk u çlirua nga konfliktet endemike dhe potencialisht shpërthyese”.

Sipas gazetës italiane, tema më e nxehtë e diskutimeve ishte kriza në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës. Në samit gjithashtu e diskutueshme ka qënë ideja e mbështetur nga dy presidentët, Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçi për shkëmbimin e territoreve përgjatë vijave etnike, ide për të cilën, po sipas gazetës, Mogerini është shprehur e hapur dhe mbështetet nga SHBA. Por ideja e dy presidentëve kundërshtohet nga Gjermania dhe Franca. Sipas gazetës, për Kancelaren Merkel “Çdo ndryshim i kufijve do të sjell destabilizim të ri në të gjithë zonën e Ballkanit”.

Për prestigjozen EuroNews, pikat kyçe të bisedimeve ishin mbështetja e pavarësisë së Kosovës, tarifat e larta reciproke, si dhe sugjerimet kontradiktore të shkëmbimit të territoreve ndërmjet dy vendeve. Merkel dhe Macron reduktuan pritjet e rezultateve konkrete, duke thënë se “forumi është në interesin e vendeve ballkanike dhe Europës për të siguruar stabilitet në rajon”./