Zv/Kryeministri italian, Matteo Salvini, ka shtuar sulmet ndaj Bashkimit Europian. Ndërkohë që tensionet publike në Francë janë shtuar, Salvini tha se ai mund të ketë homologë më të mirë në Paris apo Berlin, pas zgjedhjeve europiane të muajit Maj. Ai akuzoi presidentin francez Emmanuel Macron, se ka zhgënjyer votuesit. “Macron ka problemet e veta me miliona francezë të cilëve i bëri premtime që nuk i ka mbajtur. Merkel nga ana tjetër, është e dobët”, tha Salvini.

Ai dhe partneri në koalicion, Luigi di Maio, po konkurrojnë për mbështetje në zgjedhjet parlamentare europiane të muajit Maj, ndërkohë që janë shtuar shenjat që qasja e tyre po dëmton ekonominë italiane. Banka e Italisë ka ulur projeksionet ekonomike dhe ka bërë të ditur se ekonomia e tretë më e madhe e Eurozonës mund të ketë pësuar recesion në fund të 2018-ës.

Më herët gjatë javës, Qeveria franceze thirri ambasadorin italian, pasi Di Maio kishte thënë se “Franca nuk ka ndaluar asnjëherë kolonizimin e Afrikës” dhe po pranon emigracionin duke frenuar rritjen ekonomike të Afrikës. Ndërkohë që nacionalistët në të gjithë Europën po përpiqen të godasin status quo-n në zgjedhjet e muajit Maj, Macron po përballet me një tjetër sfidë nga Marinë Le Pen, që mposhti në zgjedhjet presidenciale të 2017-ës. Megjithatë, edhe Gjermania ka nisur të irritohet nga Italia.

Berlini pezulloi këtë javë pjesëmarrjen në Operacionin Sofia, që përbën një organizim të përbashkët detar nga Bashkimi Europian për të luftuar trafikun njerëzor në Mesdhe. Vendimi u nxit prej refuzimit të Italisë për të pranuar refugjatët në portet e veta.