Numri i bar-kafeve që operojnë në Shqipëri është, në mënyrë evidente, shumë i lartë. Ky fenomen si duket mbështet nga fakti se bar-kafetë tashmë ta janë kthyer në institucione të mirëfillta sociale, kulturore dhe argëtuese.

Përhapja e bar-kafeve, me sa duket, ka ndikuar edhe në rritjen e konsumit të kafesë. Sipas të dhënave doganore, gjatë vitit 2018, importi i kafesë shënoi rritje, si në sasi, ashtu edhe në vlerë. Vitin e kaluar u importuan mbi 7,000 tonë kafe, me vlerë 28.6 miliardë lekë. Në krahasim me një vit më parë, sasitë e importuara u rritën me 32%, ndërsa në vlerë me gati 20%.

Sipas të dhënave të pesë viteve të fundit, importet e kafesë u rritën sërish, pasi shënuan rënie gjatë 2017-s. Niveli më i lartë i sasive të importuara u shënua gjatë 2016-s me gati 8,500 tonë kafe të importuara.

Në Shqipëri konsumohen 2.5 kg kafe për frymë

Sipas përllogaritjeve, gjatë vitit 2018 një shqiptar konsumoi mesatarisht 2.5 kg kafe, duke shënuar rritje në raport me një vit më parë. Me 1 kilogram kafe, një barist mund të bëjë mesatarisht 120 deri në 150 filxhanë kafe. Kështu një shqiptar ka konsumuar mesatarisht 300 deri në 375 kafe në vit. Megjithatë, kur përllogaritet konsumi i kafesë për frymë merret në total e gjithë popullsia, por duke marrë në konsideratë se fëmijët nuk konsumojnë kafe, konsumi te të rriturit është më i lartë se vetëm rreth një kafe në ditë.

Përllogaritja e kafesë së konsumuar për frymë është bërë duke iu zbritur importeve sasinë e kafesë së eksportuar jashtë dhe duke e pjesëtuar atë në raport me popullsinë, pasi Shqipëria eksporton sasi modeste të kafesë në vendet e rajonit si Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Të parët në botë për numrin e lartë të bar-kafeve

Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT-2016, në Shqipëri, numri i bar-kafeve dhe restoranteve arriti në 18,795 (14,200 bare dhe 3,965 bar-restorante), duke shënuar rritje 6.3% në raport me vitin e mëparshëm. Sipas të dhënave, janë hapur rreth 1200 bar-kafe të reja në një vit dhe janë mbyllur 96 bar-restorante.

Në raport me popullsinë prej 2.87 milionë banorësh, në Shqipëri, sipas përllogaritjeve, ka 654 bar-kafe për 100 mijë banorë ose 1 bar-kafe për 152 banorë.

Shqipëria ia kaloi në 2016-n edhe Spanjës, e cila deri atëherë mbante rekordin në Bashkimin Europian (BE) dhe në botë për numrin e lartë të bar-kafeve për banorë, me 592 bar-kafe për 100 mijë banorë, ose një bar-kafe për 169 banorë, sipas një studimi të fundit të BE.

Nga vjen kafeja që konsumojmë

Rreth 60% e sasisë së importuar në vitin 2018 kishin si vend origjine Italinë, sipas të dhënave të Doganës. Importet nga Italia përllogariten të jenë rreth 16.9 milionë dollarë. Në vend të dytë renditet kafeja e importuar nga Brazili, me rreth 22% të totalit të vlerës së importeve, apo 6.5 milionë dollarë. Në vend të tretë renditen importet nga India me 10% e totalit dhe vlerë prej 3 milionë dollarësh, ndërsa kafeja e ardhur nga Vietnami përbën 6% të totalit, me vlerë 1.6 milionë dollarë.. monitor