Nga Xhevdet Hasi/

Me shtatorin, si kudo në botë edhe në Shqipëri kanë ndodhur disa ndryshime në media, ku secili TV bën ndryshimet e tij në qasje për rritjen e shikueshmërisë dhe forcimin e profilit. E këto janë objektiva normale në media.

Një gjë e tillë ka ndodhur ditët e fundit në Tiranë, ku televizioni ‘’News24’’ ka ndërprerë kontratën me ‘Te paekspozuarit’ e Ylli Rakipit, për të lidhur një të re me ‘’Real Story’’ të Sokol Ballës.

Këtë e konfirmoi edhe vetë televizioni me anë të një reagimi, ku thekson se ‘Këto lëvizje të dyanshme kanë vetëm një qëllim: ngritjen e audiencës dhe përfaqësimin e interesit publik dhe teleshikuesve..’’ E njëjta gjë ka ndodhur edhe me emisionin e Adi Krastës po në këtë televizion, burimet për të cilin thonë se i është ofruar një tjetër hapësirë në fundjave dhe po negociohet akoma, ndërkohë që Krasta nuk është shprehur publikisht.

Pra, një televizion ka lidhur një kontratë me një emision dhe gazetar tjetër pasi ka parë që audienca e tij ka rënë dhe kërkon ta ringrejë në një tjetër nivel.

Por, pas këtyre ndryshimeve krejt të natyrshme në media ( që është edhe biznes në kontekstin e audiencës nga sa thashë më lart) gazetari Ylli Rakipi dhe disa media pranë opozitës po tentojnë të krijojnë fabulën se ‘’News24’’ e ka kapur Rama, ndaj edhe emisioni i Rakipit u mbyll.

Pavarisht se vetë televizioni ka hedhur poshtë çdo lloj pretendimi të tillë, ajo që është interesante është se logoja e Rakipit nuk ka patur sukses as në televizione të tjera e këtë e ka treguar jetëgjatësia në secilin prej tyre.

Edhe sikur të supozojmë në një moment se ‘’News24’’ e mbylli programin e Rakipit ‘se i tha Rama, nëse kthehemi pak pas në kohë vërejmë se edhe nga një TV tjetër (Ora News) Rakipi nuk ka ndenjur gjatë. A mund të themi që edhe Ora News është e kapur (siç pretendon Rakipi) nga Rama, ndaj emisioni i tij u mbyll aty?

Në Top Channel poashtu në krye të një sezoni, Rakipit nuk iu rinovua kontrata sepse shifrat e audiencës krahasuar me konkurentët nuk ishin ato që televizioni priste.

Ndërkohë që Rakipi po trumbeton argumentim se ju mbyll emisioni ngaqë ishte opozitar, faktet tregojnë se në TV ku ishte ai, sot janë kolegët e tij të studios, Andi Bushati e Fatos Lubonja, qëndrimet e të cilëve janë në majat e vrerit ndaj mazhorancës aktuale.

Edhe në krye të News24 tanimë është vendosur Robert Rakipllari që shquhet për qëndrimet e tij krejt opozitare.

Pra, ‘hallexhiu’ i vetëm në këtë histori, është Ylli.

Ndërkohë që ka gazetarë nga ana tjetër që janë shumë të ndjekur dhe ndërrojnë ekran për të kërkuar ‘prime-time’ apo edhe hapësirë më të madhe, që me Yllin kjo nuk po ndodh.

Por, ajo që ndodh në Shqipëri është se sa herë Ylli Rakipit i ndërpritet kontrata sepse nuk ka audiencë, ky i fundit për të mbuluar dështimin e tij me audiencën që TV presin, krijon një armik. E kush mund të jetë armiku që bën më shumë zhurmë si lajm, se Edi Rama?

Përpjekja e Rakipit për të zhvendosur debatin nga cilësia e emisionit që u ofronte shqiptarëve përmes ekranit, tek teoritë konspirative me armiq që nuk i zë gjumi deri sa t’ia mbyllin, përveçse i bën dëm vetë pronarit të emisionit ne fjalë, nuk është më e besueshme në një shoqëri si e jona, e cila tashmë i ka sofistikuar shqisat prej telespektatoreje. Ajo është e aftë të dallojë cilësinë e emisioneve të debatit politik.

Sa për teoritë e ndikimit të qeverisë, ajo është aq e mprehtë sa të kuptojë të vërtetën, qoftë edhe për shkak se nuk e ka humbur kujtesën e një kohe kur Sali Berisha dhe të tijtë as nuk e kishin për turp të tregonin dhëmbët medias. Edhe me dhunë. Dhe në krahasim me ato kohëra, teoritë konspirative të të paekspozuarve ngjajnë me një shaka fundgushti.