Bashkëkryetarja e Komisionit për Reformën Zgjedhore, Rudina Hajdari, shprehet kundër propozimit të opozitës jashtë parlamentit për të financuar 100% nga paratë e taksapaguesve partitë politike dhe fushatat zgjedhore.

Duke folur për gazetarët pas tryezës teknike të organizuar nga OSBE për reformën zgjedhore, Hajdari thotë se kjo do të ishte një barrë e madhe për buxhetin e shtetit.

“Nuk jam dakord, nuk është i drejtë financimi 100% nga fondet e buxhetit të shtetit i partive politike” tha ajo.

Më herët Sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso, deklaroi se ekspertët ndërkombëtarë nuk e kundërshtuan këtë propozim.

“Ekspertët ndërkombëtarë kanë ilustruar këndvështrimet e tyre lidhur me pikat e dobëta për financimin e partive. Nuk ka pasur asnjë mbyllje të tyre ndaj propozimit tonë për financim 100% nga shteti dhe kriminalizimin e fondeve private.”