Me rastin e Festës së Kurban Bajramit, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, iu drejtua me një mesazh urimi e reflektimi besimtarëve myslimanë shqiptarë, brenda e jashtë vendit. “Dita e Kurban Bajramit është një ngjarje e shënuar, që sjell dritë, buzëqeshje e shpresë në sytë e çdo besimtari. Prej kohësh, kjo festë i ka kapërcyer kufijtë e Islamit, madje edhe kufijtë e besimeve fetare, dhe ka bujtur në çdo vatër shqiptare, si një kujtesë e vlerave të përbashkëta me njeri-tjetrin, fqinjët dhe popujt e tjerë dhe tregues i rrënjëve të përbashkëta të besimeve fetare në botën e sotme.

Myslimanët shqiptarë, ashtu si dy miliard besimtarët myslimanë të globit, e përjetojnë Kurban Bajramin si një festival sakrificash dhe shprese për arritjen e lumturisë. Kjo ditë është një shfaqje e humanizmit dhe solidaritetit njerëzor, dashurisë për të tjerët, nevojtarët, të pamundurit dhe të varfrit. Është detyra jonë të kontribuojmë që këto vlera të besimtarëve të përshkojnë gjithë shoqërinë dhe t’i jetërsojmë ato në politikat tona për zhvillimin social e njerëzor, në shërbimet sociale e shëndetësore.

Modernizimi i shërbimeve dhe i jetës publike e private mund e duhet të harmonizohet më mirë e më natyrshëm me humanizmin, bujarinë, filantropinë dhe përkushtimin e besimeve dhe besimtarëve ndaj të mirës komunitare e publike. Le të mësojmë të gjithë nga toleranca e myslimanëve shqiptarë, të cilët po rrëzojnë mitet e gabuara mbi Islamin dhe po afirmojnë vlerat e tyre properëndimore, proeuropiane e prodemokratike.

Kurban Bajrami na mëson se nëpërmjet besimit mund të kapërcejmë mosmarrëveshjet, ndarjet e konfliktet politike e shoqërore dhe të mirëkuptohemi e bashkohemi nën flamujt e vëllazërimit, dashurisë dhe devocionit për Shqipërinë.

Toleranca fetare e myslimanëve dhe gjithë besimtarëve shqiptarë të na shërbejë si frymëzim për tolerancën politike dhe bashkëpunimin midis individëve, forcave politike dhe institucioneve në të mirë të Shqipërisë. Besimi në librat e shenjtë të na shërbejë për të konsoliduar besimin te Kushtetuta, ligjet e parimet tona demokratike, në shërbim të së ardhmes europiane të Shqipërisë.

Myslimanët shqiptarë meritojnë respektin dhe mirënjohjen e të gjithë shoqërisë për urtësinë dhe nderimin ndaj besimtarëve e besimeve të tjera dhe përulësinë e dedikimin e tyre ndaj shqiptarisë. Le ta dëshmojmë nderimin tonë për këtë ditë të shenjtë, duke ushqyer bashkimin mbi ndarjen, shpresën ndaj humbjes së besimit, gëzimin ndaj dëshpërimit, bujarinë mbi makutërinë, sakrificën ndaj egoizmit dhe, mbi të gjitha, madhështinë e Shqipërisë ndaj vogëlsisë së interesave partikulariste të ditës”, shkruan në mesazhin Gramoz Ruçi.