Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, priti Ambasadorin e Arabisë Saudite, Abdulmomen Sharaf. Ruçi vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer midis të dy vendeve, i cili është intensifikuar kohët e fundit edhe me vizitën e Kryeministrit Edi Rama në shkurt të këtij viti në Riad, si edhe vizitën e drejtuesve të Fondit të Zhvillimit të Arabisë Saudite në Tiranë.

“Qytetarët shqiptarë do të mirëpresin vendosjen e linjes ajrore direkte midis Tiranës dhe Riadit, e cila do të intensifikojë jo vetëm bashkëpunimin ekonomik, por edhe shkëmbimet e turistëve midis të dy vendeve.Investimet Saudite janë të mirëpritura në Shqipëri dhe ne do të përmirësojmë vazhdimisht klimën pozitive për këto investime.”, vuri në dukje Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Ambasadori Abdulmomen Sharaf, falenderoi Kryetarin e Kuvendit për mbështetjen ndaj marrëdhënieve e bashkëpunimit dypalësh me Arabinë Saudite

“Linja direkte Tiranë-Riad pritet të vendoset së shpejti, në harkun kohor të dy-tre muajve të ardhshëm. Njëkohësisht, ne punojmë për tërheqjen e investitorëve sauditë në Tiranë si edhe zbatimin me sukses të marrëveshjeve të nënshkruara midis të dy vendeve.”, theksoi Ambasadori Abdulmomen Sharaf.