Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, përshëndeti besimtarët bektashinj në ditët e pelegrinazhit të tyre në Malin e Tomorit.

“U dërgoj përshëndetjet e mia më të ngrohta qindra-mijëra besimtarëve bektashinj që janë ngjitur këto ditë në Teqenë e Kulmakut, në Malin e Shenjtë të Tomorit.

Një përshëndetje të veçantë kam për pelegrinët bektashinj nga Diaspora, për sakrificën e tyre sipërore për t’iu bashkuar kësaj ceremonie të shenjtë.

Mali i Tomorit është monarku shpirtëror që ka bashkuar, bashkon e do të bashkojë shqiptarët, në dashurinë dhe mundimet e tyre për njeri-tjetrin dhe Shqipërinë.

Ceremonia në Teqenë e Kulmakut nuk është thjesht një demonstrim besimi e vuajtjesh, por një festival sakrificash e besimi për një botë, njerëz e jetë më të mirë, për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë e të bekuar për të gjithë shqiptarët.

Këto ditë na rikujtojnë se Atdheu dhe Toleranca janë kryevlerat e legacisë dhe institutit shpirtëror të bektashinjve. Le të mësojmë dhe të vetë edukohemi të gjithë nga kjo pasuri fetare, njerëzore e kombëtare”, thuhet në mesazhin e tij drejtuar pelegrinëve në Malin e Tomorit, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi.