Gjatë këtij viti, 3559 biznese të reja bujqësore janë regjistruar në shkallë vendi, shifër kjo më e lartë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) tha se, fermerët janë një kategori e rëndësishme biznesi e cila ndonëse nuk paguan TVSH, jep një kontribut të madh në ekonominë e vendit, punësimin dhe rritjen e të ardhurave në familjet fermere.

“Për 9 mujorin e këtij viti, numri i regjistrimit të tyre është rritur me 3559 dhe në total numri i fermerëve me NIPT, ka arritur në shifrën 44 370 biznese bujqësore, në shkallë vendi”- u shpreh Ibrahimaj.

Sipas saj, treguesi me trend në rritje i regjistrimit të biznesit rural, tregon për një ecuri pozitive të këtyre bizneseve, formalizim të tyre dhe qëndrueshmëri, që nxitur nga politikat mbështetëse të zhvillimit, janë bërë të prekshme nga fermerët.

Drejtoresha e Tatimeve argumentoi mbi bazën e të dhënave zyrtare se, gjatë këtij viti rritja e numrit të bizneseve aktive ka qenë evidente në të gjithë sektorët, ku dominon ai i shërbimeve, i ndjekur nga rritja e numrit të regjistrimit me NIPT i fermerëve ( ose bizneseve bujqësore).

“Kjo tregon se politikat e shëndetshme në sektorin e bujqësisë po stimulojnë dhe ndërgjegjësojnë fermerin, për të zhvilluar biznesin bujqësor sipas ligjit të formalizimit dhe standardeve më të mira”- tha Ibrahimaj për ATSH-në.