Gjashtëqind e dyzet e tre projekte për rritjen e prodhimit në serra janë mbështetur nga qeveria, ku përmes modeleve biznesi të standardizuara investimi kap vlerën e 377 milionë lekëve.

Shifrat janë bërë publike nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural e cila thotë se kjo e fundit ka mbështetur 643 projekte ndër vite për rritjen e prodhimit në serra përmes subvencioneve shtetërore.

Përqendrimi më i lartë rajonal i serrave është në qarkun e Beratit, ku AZHBR ka financuar 240 projekte, ndjekur nga qarku i Fierit me 179 projekte të financuara.

Më tej në Durrës, Shkodër dhe Tiranë ku kultivohen sipërfaqe të konsiderueshme me domate dhe kastravec në serra. Projektet e financuara nga buxheti i shtetit kanë qenë të financuara kanë qenë serra me ngrohje teknike dhe qendrore për zëvendësimin e plastmasit termik, ndërtimin e serrave të reja me ngrohje diellore si dhe prodhimin e bastanorëve në tunele.

Sipas statistikave zyrtare, 22% e totalit të prodhimit të perimeve vjen nga serrat.

Sipas AZHBR-së, rritja e konsiderueshme e prodhimit në serra ka përafruar prodhimin me kërkesat e tregut, si dhe ka shtuar nivelin e eksporteve. Po kështu, masat mbështetëse në formë granti nga buxheti i shtetit ka orientuar fermerët që të investojnë dhe të mbjellin kultivarë që kërkon tregu, bazuar në kriterin minimal për sipërfaqe jo më pak se 0,2 hektarë.

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural informon se ky sektor ka dhënë impakt në rritjen e ekonomisë familjare për zonat rurale, duke plotësuar nevojat e tregut të brendshëm dhe ka rritur konsiderueshëm eksportet.