Rreziku i zjarreve nuk ka kaluar pasi i nxehti është ende para. Ministria e Mbrojtjes organizoi sot një ekspozim të kapaciteteve që shteti jonë disponon për emergjencat.

E pranishme në ceremoni, Ministrja Olta Xhaçka, i dedikoi një pjesë të mirë të fjalimit të saj katastrofës së shkaktuar nga zjarrin në fqinjin tonë jugor.

Xhaçka: Po e nis këtë fjalë me një solidarizim me popullin grek, për fatkeqësinë e shkaktuar nga zjarret masive. Bashkohemi me dhembjen e familjeve që kanë humbur njerëzit e tyre të dashur dhe lutemi për ta.

Të gjithë kemi përjetuar me keqardhje dhe jemi tronditur me atë çfarë është ka ndodhur në shtetin tonë fqinj, me skenat apokaliptike të zjarreve, të cilët, vetëm në pak minuta. kanë marrë jetë njerëzish dhe kanë kthyer disa fshatra në shkretëtirë.

Qeveria e Republikës së Shqipërisë i gjendet afër qeverisë dhe popullit grek në këto momente të vështira dhe ne ndajnë me ta dhimbjen për humbjet njerëzore. Qeveria jonë ka marrë vendimin për të akorduar një ndihmë financiare për qeverinë e Greqisë.

Xhaçka siguroi homologun e saj grek, Panos Kammenos, se Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë janë të gatshme t’ju ofrojnë ndihmën e tyre kolegëve fqinj, nëse kjo gjykohet e nevojshme teksa uroi që situata të vendoset sa më shpejt nën kontroll.

Nga ana tjetër, Ministrja e Mbrojtjes garantoi se Emergjencat Civile, Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura i kanë të gjitha kapacitetet për t’iu përgjigjur çdo lloj kërcënimi natyror që mund të shfaqet.

Xhaçka: Kjo është një nga ato ngjarje që na bën të reflektojmë për rëndësinë që kanë ndërtimi i kapaciteteve dhe gatishmëria për tu përballur me fatkeqësi të kësaj natyre.Është një moment që secili prej nesh duhet të nxjerrë mësime dhe të marrë përsipër përgjegjësitë institucionale dhe qytetare.

Jam sot këtu për të siguruar qeverinë dhe qytetarët tanë se MM dhe Forcat tona të Armatosura kanë marrë mbi vete barrën e përballjes me Emergjencat Civile dhe do të vijojnë të angazhohen për të qenë afër komunitetit për çdo lloj kërcënimi ndaj sigurisë së tyre.

Jam sot këtu për t’ju ofruar sigurinë se MM dhe Forcat e Armatosura janë në çdo kohë të gatshme për të vepruar. Ato janë të gatshme edhe kur të tjerët janë me pushime. Kjo është detyra që ne kemi marrë përsipër. Ne jemi gjithmonë në garë me kohën dhe nuk kemi alternativë tjetër, vetëm të dalim fitimtarë në këtë garë.

Emergjencat Civile janë bërë tashmë fronti ynë i luftës. Është një luftë e paparashikueshme, si të gjitha luftërat, një luftë që në çdo moment është e gatshme të marrë jetë njerëzish, të shkatërrojë prona publike dhe private që janë vënë me shumë mund dhe djersë.

Por këtë luftë MM dhe Forcat e Armatosura nuk mund ta përballojnë të vetme. Ne, të gjithë së bashku: Forcat e Armatosura, strukturat e tjera të pushtetit, prefekturat dhe organet e qeverisjes vendore, por edhe qytetarët, duhet të bashkojmë forcat jo vetëm që të shmangim pasojat e EC, por edhe të parandalojmë shkaqet e ndodhjes së tyre

Xhaçka u bëri thirrje qytetarëve, bizneseve dhe pushtetit vendor, që të rrisin kujdesin dhe përgjegjësinë, pasi një pakujdesi e vogël mund të sjellë pasoja të mëdha.

Xhaçka: Një cigare e hedhur në vend të papërshtatshëm, mund të kthehet në tragjedi, siç po ndodh me fqinjin tonë.Dua të lëshoj një apel për të gjithë, se çdo veprim abuziv, i kryer nga pakujdesia apo më keq akoma, me paramendim, do të marrë ndëshkimin e duhur nga organet përkatëse.

Ne kemi marrë të gjitha masat dhe po koordinojmë punën me qëllim që strukturat përkatëse të jenë në gatishmëri maksimale për të ndërhyrë në çdo moment, për të garantuar sigurinë e qytetarëve tanë dhe pushuesve. Përballja me EC është një operacion kompleks dhe jo i lehtë për t’u menaxhuar. Sigurisht që kjo kërkon gjithashtu edhe mjetet dhe teknikën e duhur.