Sulmuesi i ri i Inter-it, Romelu Lukaku, ka zbuluar disa prapaskena në lidhje me fëmijërinë e tij në një intervistë të dhënë për portalin gjerman “T-Online”.

Fëmijëria – “Jam rritur në rrethana t ë vështira, por edhe kjo ka pasur të mirat e saj. Nuk mendoj se jam i vetmi që jam rritur në një situatë të tillë. Kjo më ka bërë më të fortë në aspektin psikologjik”.

“Nuk më intereson se çfarë mendojnë të tjerët për mua, unë vazhdoj të jap maksimumin. E vetmja gjë që urrej janë njerëzit që nuk kanë respekt. Kur kthej kokën mbrapa, vlerësoj edhe sfidat më të shëmtuara me të cilat jam përballur, sepse më kanë bërë njeriun që jam sot”.

Gjermanishtja – “E kam mësuar në shkollë, por nuk kam qenë shumë i mirë. Është e ngjashme me gjuhën holandeze, kështu që nuk e kuptoj shumë. Çfarë fjalësh mbaj mend? ‘Përshëndetje’, ‘Mirë’ dhe ‘Quhem Romelu Lukaku dhe jam 26 vjeç “.

Witsel – “Axel Witsel është një nga miqtë e mi më të mirë dhe flas me të pothuajse çdo javë. Është për të ardhur keq që nuk e fitoi kampionatin gjerman sezonin e kaluar, por është një lojtar ambicioz dhe i përqendruar për të fituar titullin”.

Belgjika – “Me Belgjikën duam të bëjmë më mirë se në Botërorin e 2018-ës (belgët u eliminuan në gjysmëfinale nga Franca). Por duam që të jetë një proces gradual, hap pas hapi dhe me koherencë. Duhet t’i tregojmë yjeve të rinj se nuk është një gjë e vogël të luash për Belgjikën”.