Rovena Voda ‘shuplakë’ Tabakut : Situata drejt përmirësimit, akomodimi përballohet nga buxheti i shtetit

Zvministrja e Brendshme e cila është dhe kryetare e Shtabit të Emergjencës për qarkun e Durrësit gjatë një lidhje direkte në emisionin “Top Talk” ka deklaruar se situata në zonat e prekura nga tërmeti po menxhohet më së miri.
Voda përmendi disa nga hapat e ndërmarra duke nisur nga operacionet e kërkim-shpëtimit, akomodimi në qendrat hoteliere e cila u kalua me sukses.
“Ju mund të shihni se para godinës së bashkisë së Durrësit nuk ka asnjë person që thotë se ka mbetur jashtë.
Janë 7 hotele që kanë pritur banorët e mbetur të pastrehë, fëmijë, të moshuar. Për të gjithë ka shërbime ndihmëse, asistencë shëndetësore dhe furnizime me ushqim e veshmbathje”, u shpreh znj Voda.

E pyetur nga ish-deputetja demokratike Jorida Tabaku në lidhje me fondin e emergjencës, znj Voda theksoi se shpenzimet për akomodimin në hotele do të përballohen nga buxheti i shtetit.
Ndërsa sa i takon deklaratave të opozitës se ka ende njerëz në cadër, kryetarja e shtabit të Emergjencave për qarkun e Durrësit theksoi se vetëm në zonën e Sukthit janë akomoduar që ditën e parë 84 persona, e në ditët në vazhdim numri është rritur.
“Ne i kemi pyetur ku duan të akomodohen. Për banorët e zonave rurale që kanë problem me gjënë e gjallë, ne i kemi ofruar cadra”, tha zvministrja e Brendshme, Rovena Voda.
Sa i takon shqetësimit të ngritur në studio nga aktivisti i shoqërisë civile Ergys Mërtiri tha se ka ende njerëz që thonë se s’kanë marrë asnjë ndihmë nga shteti, znj Voda tha se ndihmat janë menaxhuar në bashkëpunim me drejtuesit e njësive administrative.

Sipas saj, ka pasur dhe bashkëpunim me organizatat vullnetare për ti ardhur në ndihmë familjeve të mbetur të pastrehë.
“Të realizosh maksimalen është e vështirë, por garantojmë se situata do të përmirësohet edhe më tej në ditët në vijim”, tha znj.Voda.