Dy yjet absolutë të futbollit botëror që kanë ndarë mes tyre 10 trofe të “Topit të Artë”, Leo Mesi dhe Kristiano Ronaldo, ishin prezentë në mbrëmjen gala të hedhjes së shortit të Champions League, ku u ndanë edhe çmimet për sezonin e shkuar të trofeut më pretigjioz në kontinent. Të pyetur për rivalitetin mes tyre, Leo Mesi u përgjigj “Është një rivalitet i madh. Reali është një ekip i madh në Spanjë, dhe dihet rivaliteti që kemi në Spanjë”.

Ndërsa Ronaldo nga ana tjetër ishte edhe më argëtues në batutat e tij, teksa vlerësoi rivalin e tij më të madh: “Ne kemi ndarë skenën, unë dhe Mesi, për 15 vite bashkë. Nuk e di nëse ka ndodhur ndonjëherë më parë kjo në futboll. Dy futbollistë të njëjtë, në të njëjtën skenë, gjithë kohës. Nuk është e lehtë. Madje, ne nuk kemi ngrënë as një darkë bashkë kësaj kohe. Por, është diçka e bukur.

Më mungon të luaj në Spanjë. Kemi atë betejën bashkë, që e kemi prej 15 vitesh. Ai më shtyn përpara mua, por edhe unë atë. Është bukur të jesh pjesë e historisë së futbollit. Unë jam aty, por edhe Mesi gjithashtu. Të tërhiqemi në të njëjtën kohë? Mesi është 2 vite më i ri se unë. Por, mendoj se unë dukem mirë për moshën time. Nuk jam keq(qesh). Shpresoj të jem sërish këtu pas një viti, e pas dy vitesh. Njerëzit që nuk më duan, do më shohin këtu”.