Cristiano Ronaldo është shfaqur në konferencë për media një ditë para ndeshjes që Juventusi do ta zhvillojë me Lokomotivën e Moskës në kuadër të UEFA Champions League.

E ardhmja, puna me Sarrin, 700 gola në karrierë, për konkurrencën mes Dybala e Higuaín, Champions League, Topi i Artë, ishin disa prej pyetjeve të shumta që iu bën në konferencë Cristiano Ronaldos.

Por, për asnjë minutë, atij nga gazetarët nuk iu përmend kundërshtari i nesërm, Lokomotiva, apo se sa janë gati për ndeshjen e radhës në Champions League e gjëra tjera.

Dhe, natyrisht, CR7 s’mund të largohej nga konferenca pa lëshuar ndonjë fjalë;
“Asnjë pyetje për Lokomotivën? E pabesueshme…”, tha duke qeshur 34-vjeçari.

Është 34-vjeçar dhe në shkurt të vitit 2020 do t’i mbushë 35 vjet – por Cristiano Ronaldo nuk e ka ndërmend t’i varë edhe për shumë vite atletet.

Ish-sulmuesi i Real Madrid dhe Manchester United, tha ndër të tjera në konferencë për media se mosha për të është vetëm numër.

Ai dha sinjale se do të jetë në skenë, duke dhënë më të mirën për Juventusin dhe Portugalinë edhe për shumë vite.

“Mosha është vetëm numër. Të jesh 34, 35 apo 36-vjeçar s’do të thotë se është fundi karrierës. Mund ta vërtetoj këtë me paraqitjet e mia. Po ndihem shumë më mirë se më parë”.