Presidenti francez, Emmanuel Macron kërkon një politikë migracioni më efikase në Europë.

Mungesa e ujdisë për kompetencat e përgjegjësitë e ka penguar në të shkuarën politikën për të penguar lëvizjet masive dhe shpërndarjen e refugjatëve, ka thënë presidenti Macron pas takimit me kryeministrin italian, Giuseppe Conte në Romë.

Ai shprehu besim në arritjen e mundshme të një mekanizmi shpërndarës automatik në Europë. “Ka një “dritare mundësish” për arritjen e një pozicioni të përbashkët, “me qëllim që të gjitha vendet të marrin pjesë në një ose në një formë tjetër të solidaritetit europian ose të ndëshkohen financiarisht”, tha ai.

Vizita e parë

Emmanuel Macron është politikani i parë i nivelit të lartë nga Europa që viziton qeverinë e re të të majtës dhe qendrës në Itali. Ai u takua edhe me kreun e shtetit, Sergio Mattarella.

“Kjo miqësi është e pashkatërrueshme”, tha Macron për marrëdhëniet italiano-franceze. Nën qeverinë e mëparshme të Lëvizjes së Pesë Yjeve me djathtistët e Matteo Salvinit marrëdhëniet mes dy vendeve u ftohën, pasi zëvendëskryeministri, Luigi di Maioi i bëri një vizitë lëvizjes protestuese të Jelekëverdhëve. Kjo nuk u pa me sy të mirë nga qeveria në Paris.

Në bisedimet në Romë bëhet fjalë edhe për situatën në Libi. “Ne punojmë së bashku për stabilizimin e vendit”, tha kryeministri Conte, i cili më parë kishte ftuar kryeministrin libian, Fajis al-Sarradsh në Romë.

PS/ Takimi i të mërkurës në “Palazzo Chigi” është një nga shenjat më domethënëse të paqes, si dhe të ritmit të punës së ekzekutivit me “5 Yjet” dhe Partisë Demokratike.

Diçka tashmë ka lëvizur: Italia në fakt ka arritur të korr disponueshmërinë e Francës dhe Gjermanisë në lidhje me këtë çështje. Por fërkimet midis dy vendeve janë të mëdha. Dosja ‘Libia’ është një nga më delikatet.

Në vendin e tronditur nga konflikti i brendshëm, kontrolli ushtarak i fushave të naftës është në rrezik. Kampi “Al-Sharara”, 700 kilometra në jug të Tripolit, prodhon një të tretën e naftës libiane. Këtu operon një ndërmarrje e përbashkët midis asaj shtetërore Libiane dhe katër kompanive, përfshirë kompaninë franceze “Total”. Më tej në jug ndodhet fusha naftëmbajtëse “Elefant”, një menaxhim i përbashkët midis ‘Eni’ Italian dhe ‘Noc’ Libian.

Një element tjetër i tensionit është dinamizmi industrial i Parisit në Itali. Numrat janë domethënës, francezët kontrollojnë rreth 1900 kompani me 250 mijë të punësuar. Nga ana tjetër, vrazhdësia mes Romës dhe Parisit është e lidhur edhe me kërkesën e Macron për të nisur një hetim të thelluar për blerjen nga ana e italianes “Fincantieri” të “Stx France”, tani me emrin ‘Chantiers de l’Atlantique’, një operacion financiar që, sipas Francës, mund të ndikojë ndjeshëm në konkurrencën në sektorin e ndërtimit të anijeve.

Por edhe kohërat, me sa duket, kanë ndryshuar dhe Macron nuk duket se dëshiron të ketë pranë Luigi Di Maio-n, një përkrahës i jelekëve të verdhë në lojën e vështirë sociale që Macron po luan në Francë.