“Galacticos”. Një ekip që mbase, veçanërisht në nivelin Europian, nuk fitoi aq sa mundej. Por, ai Real Madrid ka mbetur në imagjinatën kolektive futbollistike. Sepse ajo skuadër, e përbërë nga Ronaldo, Figo, Zidane dhe Beckham ishte simboli i fuqisë ekonomike. Atje ishte edhe Roberto Carlos. Braziliani mbërriti në “Bernabeu” në vitin 1996 dhe qëndroi aty për 11 vite. Ai foli në një intervistë për kanalin televiziv portugez, “Canal 11”.

Ish-ylli i kombëtares së Brazilit nënvizoi se një ekip galaktik si ai kishte nevojë për trajnerë të aftë, që të menaxhonin një dhomë zhveshjesh plot me kampionë. Një koncept që, siç shpjegon Roberto Carlos, nuk ishte shumë i qartë për Vanderlei Luxemburgo. Trajneri brazilian dëshironte të bënte revolucion në Madrid, por kjo tentativë nuk zgjati shumë: “Nëpër darka kishim gjithmonë shumë birra dhe verë. Në tryezë gjithnjë ishin të paktën dy shishe.

Ronaldo dhe unë i thamë Vanderlei: Profesor, këtu njerëzit kanë zakonet e tyre, ato do t’i vini re, por mos u përpiqni t’i ndryshoni. Mos e hiqni verën dhe birrat, përndryshe do të keni probleme. Dhe çfarë bëri ai? Të parat hoqi birrat e më pas verën. Më pas dihet historia, drejtimi i tij zgjati vetëm tre muaj. E njëjta gjë ndodhi edhe me Camacho. Ai hyri në dhomën e zhveshjes gjithë seriozitet, me të kaluarën e vet historike te Reali. Me ton na tha: Nesër në mëngjes ju dua të gjithëve këtu, në orën 7. Ne stërviteshim në orën 10:30 deri atë ditë, biseduam me të, në përpjekje për ta ndryshuar orarin. Dhe ai zgjati vetëm tri ditë.

Nuk u sollën si Del Bosque. Ai ishte më shumë mik se trajner, na kuptoi në mënyrë të përsosur dhe nuk kishte nevojë për rregulla. Të hënën dhe të martën vendosi të stërviteshim në orën 5 pasdite, sepse e dinte që askush nuk do të paraqitej në 11 të paradites. Unë dhe Ronaldo, një çift i qëndrueshëm? Me “Fenomenin” jam takuar në vitin 1993. Dhe kam qenë gjithmonë në të njëjtën dhomë me të. Në periudha të ndryshme kam fjetur më shumë me Ronaldon se me gruan time”./ telesport