Pas largimit nga drejtori i OSHEE-së në Gjirokastër, Robert Lili ka nisur punën në krye të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Sot ai ka zhvilluar një takim me krerët e drejtorive rajonale të AKU-së. Në njoftimin e shpërndarë për media, thuhet se Lili ka kërkuar një tjetër qasje ndaj operatorëve të biznesit ushqimor. Jo vetëm ndëshkim me gjoba vend e pavend, por edhe këshillim për të përmirësuar aspektet e sigurisë ushqimore në treg. Po kështu Lili ka kërkuar edhe bashkëpunim me pushtetin lokal, kryesisht për të shmangur tregtarët ambulantë që shesin nëpër rrugë.

Njoftimi

Drejtori i AKU-së Robert Lili, mblodhi sot në një takim krerët e drejtorive rajonale, për t’i kërkuar që t’i përmbahen planeve të tyre të monitorimit, duke vepruar brenda kuadrit ligjor dhe me etikë maksimale përballë operatorëve të biznesit ushqimor. Krahas kontrolleve për të garantuar cilësinë e produkteve ushqimore, inspektorët e AKU-së nuk duhet të harrojnë as dimensionin këshillimor ndaj bizneseve. Po kështu drejtori Lili kërkoi trajtim me seriozitet maksimal të çdo denoncimi apo sinjali që vjen nga qytetarët për cënim të sigurisë ushqimore. Sa i përket tregtimit të prdukteve nëpër rrugë, AKU duhet të ndërtojë një bashkëpunim më të ngushtë me pushtetin lokal në çdo bashki të vendit. Siguria ushqimore është një çështje e përbashkët, për të cilën duhet të kontribuojmë të gjithë.