Operatori i Shpërndarjes se Energjisë Elektrike ka informuar se transformatori në nënstacionin e Korçës është vendosur në punë.

Aktualisht janë në funksion të plotë të gjithë fiderat e stakuar si pasojë e defektit dhe zonat e prekura nga avaria e rëndë po furnizohen normalisht me energji elektrike.

Ndërkaq, OSHEE ka hartuar një plan masash për mbarëvajtjen e furnizimit me energji elektrike gjatë ditëve të festave të fundvitit. Në terren janë angazhuar brigada pune me punonjës nga 11 drejtoritë rajonale të OSHEE-së në vend. Gjatë një dalje për mediet, administratori i OSHEE, Ardian Çela tha se strukturat e kompanisë do të zbatojnë planin e masave që aplikohet në çdo periudhë kur pritet fluks ngarkese në rrjet.

OSHEE ka bërë të ditur se në të gjitha rajonet e vendit janë vendosur në dispozicion të qytetarëve, numrat e telefonit për të raportuar çdo defekt që do të ndodhë në zonat e tyre të banimit. Po ashtu, drejtoritë rajonale të OSHEE janë pajisur me bazë materiale të domosdoshme si kabull, izolatorë, përcjellës, të cilët do të shërbejnë për eliminimin sa më shpejtë të çdo avarie që mund të ndodhë në rrjet.

Gjatë ditëve të festave, mbi 1500 punonjës do të jenë në gatishmëri të shpërndarë në terren. Gjithashtu, në çdo qytet janë publikuar hartat dhe numrat e emergjencës, që janë në shërbim 24 orë për qytetet të ndryshme të vendit.

Risi e këtij viti, është se që pas çdo telefonate që do të vijë nga qytetarët për raportim defekti, qytetari do të rimerret në telefon pasi t’i jetë zgjidhur problemi për konfirmim.