Krahas rehabilitimit të tregjeve të lagjeve, Bashkia e Tiranës ka mbajtur një tjetër premtim, atë për krijimin e tregjeve të lëvizshme në qytet. Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik Urban në Bashkinë e Tiranës ka nisur implementimin e projektit më të ri, Tregu i Lëvizshëm.

Kështu Tiranës i shtohet së fundmi tregu ditor që ka për qëllim të lëviz në çdo ditë në lagje të ndryshme, një eksperiencë kjo e njohur në vendet e tjera. Gjithashtu kjo nismë synon të promovojë produktet lokale të fermerëve në zona të ndryshme të qytetit me qëllim për të qenë më pranë komunitetit dhe për të sjellë produkte të freskëta organike pranë tryezave të tyre të qytetarëve.

Dje tregu ishte pranë ish – Fushës së Aviacionit në Njësinë nr.7, ku fermerët e Tiranës patën mundësi që të shesin në kushte sa më komode prodhimet e tyre bujqësore. Krijimi i këtij tregu është një mundësi shumë e mirë për fermerët e fshatrave të Tiranës për të tregtuar prodhimet e tyre bujqësore dhe blegtorale në kushte shumë të mira dhe larg pluhurit dhe papastërtive që mbart shitja në rrugë dhe që ishte kthyer edhe në një rrezik për shëndetin e banorëve.