Riatdhesohen 60 shqiptarë të cilëve i ishte refuzuar azili në Belgjikë dhe Francë. Gjatë këtij operacioni u riatdhesuan 55 shqiptarë nga Franca dhe 5 nga Belgjika të cilët kishin vendim për dalje nga territori francez apo belg, për shkak të qëndrimit të parregullt apo kërkimit të azilit në këto vende.

“Në vazhdim të organizimit të operacioneve të riatdhesimit për shtetasit shqiptarë me qëndrim të parregullt në territorin francez, si edhe për persona apo familje, të cilëve iu është refuzuar azili në Francë, mesditën e sotme u organizua operacioni i riatdhesimit, si rezultat i bashkëpunimit mes Francës dhe FRONTEX-it, me nisje nga aeroporti Lille Lesquin.

Gjatë këtij operacioni u riatdhesuan gjithsej 60 shtetas shqiptarë , nga këta 55 nga Franca dhe 5 nga Belgjika, të cilët kishin vendim për dalje nga territori francez apo belg, për shkak të qëndrimit të parregullt apo kërkimit të azilit në këto vende.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë shtetasit shqiptarë që udhëtojnë për në vendet e BE-së, të respektojnë rregullat e lëvizjes në hapësirën Schengen dhe të mos kërkojnë azil, pasi shanset për ta fituar janë zero.

Ndërkohë Policia Kufitare ka forcuar kontrollet në pikat e kalimit kufitar, në drejtim të verifikimit të dokumentacionit dhe plotësimit të kushteve për të udhëtuar në vendet e BE-së, si dhe me patrulla të shtuara në kufirin jeshil për të parandaluar kalimin e paligjshëm të kufirit”, njofton policia.