Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla së bashku me deputetin, Musa Ulqini dhe Kryetarin e Bashkisë Belsh, Arif Tafani inspektuan punimet e fazës së tretë të projektit të Rilindjes Urbane të Belshit, i cili parashikon ndërtimin e pedonales dhe korsisë së biçikletave përreth liqenit, pa munguar as hapësirat rekreative.

Në fjalën e tij, Balla tha se Belshi është kthyer në destinacion të rëndësishëm turistik edhe pse investimi ende nuk ka përfunduar.
“Do të jetë një projekt modern, sepse synohet, jo vetëm krijimi i një unaze përreth gjithë liqenit, por edhe me kënde rekreative të cilat e bëjnë të gjithë hapësirën të shfrytëzueshme.
Është një investim rreth 1.3 miliardë lekë të vjetra, në një bashkëpunim shumë të frytshëm mes qeverisë shqiptare dhe Bashkisë së Belshit”, deklaroi Balla.

Sipas Ballës, bashkia e Belshit i ka qëndruar strikt kritereve të vendosura nga qeveria dhe se investimi vjen si pasojë e vlerësimit maksimal për punën e kryer nga kjo bashki.

Në vijim të punëve të mira për Belshin, deputeti Musa Ulqini njoftoi edhe nisjen e punimeve në sistemin e furnizimit me ujë të pijshëm për Belshin. “Qeveria Shqiptare ka miratuar një fond të konsiderueshëm për të filluar ndryshimin rrënjësor në ujësjellësin e Belshit. Pra një ujësjellës i ri, shkolla të reja, qendra shëndetësore të mirërregulluara, një qytet kaq i bukur, rrugë të reja, të gjitha këto janë mundësi të mëdha për të gjithë njerëzit që banojnë këtu”, u shpreh Ulqini.

Qyteza e bukur buzë liqenit, tashmë pret vizitorë nga i gjithë vendi dhe jo vetëm. Po ashtu, investimet në liqenin e Seferanit, pedonalja, krijimi i bujtinave, aktivitete të shumta në natyrë, kulinaria me prodhime bio të zonës e bëjnë Belshin destinacion të fundjavave.