Harmoni e plotë në përfaqësuesen e Kosovës para ndeshjes vendimtare me Malin e Zi, pavarësisht përplasjes së një dite më parë mes Edon Zhegrovës dhe Benjamin Kulollit në në stërvitje. Të dy futbollistët, që aktivizohen në elitën e futbollit zvicëran, janë fotografuar duke biseduar me njëri-tjetrin qetësisht në mes të fushës, teksa në seancën paraardhëse u kapën me njëri-tjetrin, aq sa u desh ndërhyrja e pjesëtarëve të tjerë ekipit për të shuar sherrin.

Trajneri Bernard Challandes, duke i dhënë rëndësi maksimale harmonisë në ekip, i ka lënë të dy futbollistët që të sqaroheshin një herë e mirë, madje duke lejuar edhe mediet që ta fiksonin këtë moment.

Në shërbim të përzgjedhësit Bernard Challandes kanë qenë të gjithë futbollistët, të cilët gjatë daljes në fushën e gjelbër janë shoqëruar nga duartrokitje të një grupi fëmijësh, të cilët kishin ardhur për ta ndjekur stërvitjen e “Dardanëve”.

Futbollistët, krahas punës në aspektin fizik dhe disa skemave të lojës, u fokusuan edhe në harkime nga krahët si dhe ushtruan gjuajtjet standarde.

Edhe në këtë seancë stërvitore Challandes kërkoi nga futbollistët që kundër Malit të Zi të jenë sa më agresivë në sulm dhe të përqendruar, që të shfrytëzojnë në maksimum secilin rast që u jepet.

Stërvitjen e fundit para ndeshjes Kosova do ta zhvillojë të dielën, në orën 18:00.