Foshnjat që do të vijnë në jetë në qytetin e Sarandës, të Korçës dhe jo vetëm, si dhe nënat e reja po marrin shërbim në kushte më të mira. Kjo është bërë e mundur në sajë të materniteteve të reja në këto qytete, me investime të buxhetit të shtetit. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, publikoi sot një video ku shikohet transformimi që kanë pësuar këto maternitete.

“Fëmijët janë të parët në investimet dhe politikat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Vijojmë pa u ndalur me planin e rijetësimit të materniteteve në të gjithë vendin. Puna për shëndetësinë që duam”, shprehet Manastirliu. Materniteti i ri i Sarandës, me vlerë 336 milionë lekë u shërben 140 mijë qytetarëve të katër bashkive Sarandë, Konispol, Delvinë dhe Finiq.

Ky maternitet ka kapacitet për të pritur 700 lindje në vit, dy salla lindjeje dhe 2 salla operacioni. Materniteti i Korçës, një investim prej 200 milionë lekë nga buxheti i shtetit, ka kapacitetet me 45 shtretër, repartin e Neonatologjisë, Reanimacionit, etj dhe i shërben një popullate prej 270 mijë banorë.

Po ashtu ai ofron standard të lartë shërbimi për nënën dhe fëmijën.
Pas përfundimit të materniteteve të Sarandës dhe Korçës, po vijon puna për ndërtimin e maternitetit të ri në Berat, Lezhë dhe Kukës.