Arsimi është arma me efikase per te luftuar pabarazinë gjinore në Shqipëri. Ligjet kanë ndihmuar në një përfshirje gjithmonë e më të madhe të grave në jetën sociale, ekonomike dhe politike, por është arsimi ai që po realizon një revolucion të vërtetë shoqëror në vendin tonë.

Kjo është esenca e një fjalimi të mbajtur ditën e sotme nga bashkëshortja e Kryeministrit, Linda Rama, në Samitin Ndërkombëtar të Grave në Londër.

Duke folur në cilësinë e një kërkuese, aktiviste dhe profesionisteje në fushën e ekonomisë, zonja Rama renditi disa prej treguesve më pozitivë të avancimit të të drejtave të grave në vendin tonë.

Aktualisht, gjysma e qeverisë, gjysma e këshillave bashkiakë dhe 30% e deputetëve janë gra. Në biznesin privat, 30% e pronarëve dhe mbi 40% e drejtuesve të lartë në nivel manaxherial janë përsëri gra. Por, sipas zonjës Rama, ndryshimin e vërtetë në Shqipëri po e bën arsimi i lartë.

“Gratë shqiptare nuk kanë qenë kurrë kaq të edukuara sa në ditët e sotme. Në brezin e mamave tona, vetëm 5% e grave kishin edukim të lartë. Sot, të dhënat flasin për 6-fish më shumë vajza dhe gra me arsim të lartë midis moshës 25-39 vjeç. Sot që flasim, Shqipëria është një ndër ato vende që e ka zhdukur plotësisht pabarazinë gjinore në aksesin në arsimin e detyrueshëm, çka bën të besosh se brenda pak kohësh, edhe hendeku që ekziston në arsimin dytësor do të jetë zhdukur plotësisht. Numri i vajzave që ndjekin arsim të lartë sot është shumë më i lartë se ai i bashkëmoshatarëve të tyre meshkuj”, theksoi midis të tjerash zonja Rama.

Falë ndryshimeve ligjore, që kanë garantuar një pjesëmarrje më të lartë politike për gratë, por edhe ndryshimeve të tjera që kanë forcuar rolin e gruas në shoqëri, përfshi ndryshimet e kodit penal për rastet e dhunës në familje apo paketa e re e ndihmës sociale, Shqipëria u pozicionua në 2018-n e 34-ta në botë sa i përket barazisë gjinore.

Në këtë renditje, vendi ynë lë pas të gjithë vendet e rajonit, si dhe disa prej vendeve më të zhvilluara të botës, përfshi Australinë, Italinë, Izraelin, Poloninë, etj.

Fjalimi i zonjes Rama: http://lexo.com.al/linda-rama-ka-tre-dekada-qe-interesohet-qe-ju-te-jeni-te-parat-eshte-koha-te-ktheni-borxhin/