Të dhënat e përditësuara të qeverisë së futbollit kontinental e vendosin Kategorinë Superiore në një pozicion jo të mirë në hierarkinë europiane.

Me asnjë skuadër të mbijetuar në kompeticionet e UEFA-s, nga 4 skuadra që nisën aventurën, statistikat e vendosin kampionatin tonë në vendin e 36.

Shqipëria ndodhet pas Maqedonisë dhe Moldavisë, pasi ka në total 7500 pikë, diçka e cila llogaritet nga paraqitja e skuadrave në Champions dhe në Europa League në 5 sezonet e fundit. Viti 2018 ishte historik për klubet shqiptare brenda dhe jashtë kufijve, pasi u prezantuan në kupat e Europës me numrin rekord të 8 skuadrave, duke përfshirë Kosovën dhe Maqedoninë.

Kampionati kosovar është ngritur me dy pozicione, ku nga vendi i fundit tashmë është në vendin e 53-të. Superliga e Kosovës ka lënë mbrapa Ligën e Andorrës dhe San Marinon.

Ndërkohë, Spanja dominon në shkallën më të lartë të podiumit të UEFA-s, që përkthehet edhe në vende në Champions dhe Europa League. Primera Division ka në total 94 426 pikë dhe ndiqet nga kampionati anglez i futbollit me një diferencë më shumë se 20 mijë pikë.

Kompletojnë hierarkinë e 5 më të fortave të kontinentit Serie A italiane, Bundesliga gjermane dhe Liga franceze.