Marash Kumbulla është pa diskutim zbulimi i këtij sezoni te skuadra e Veronës.

Lojtari i datëlindjes 2000 rikthehej pas pezullimit si pasojë e kartonit të kuq ndaj Juventusit e mënjeherë u bë protagonist.

As nuk i ndjeu fare 17 vite diferencë me Kualjarelën, duke neutralizuar atë që u shpall golashënuesi i kampionatit të kaluar.

Por jo vetëm kaq. 19-vjecari festoi golin e tij të parë në Serinë A, një arritje e jashtëzakonshme për djaloshin që po afirmohet në skenën më të rëndësishme të futbollit europian.

Ai ka rrëfyer se ishte një emocion i jashtëzakonshëm për të që të gjente rrjetën në elitën e futbollit italian, aty ku çdokush dëshironte të tregonte vlerat e tij.

“Vërtet ishte një emocion i papërshkrueshëm që të shënoja me Veronën për herë të parë, sidomos në Serinë A.

Gjeta hapësirën dhe u nisa, golin ua kushtoj prindërve të mi, familjes dhe të dashurës.

Pas dëmtimit të vitit të kaluar, në grumbullim jam paraqitur për të dhënë maksimumin me objektivin për të fituar besimin trajnerit.

Juric ma ka dhënë këtë besim dhe duhet ta falënderoj, pasi kam mësuar shumë gjëra prej tij”, kanë qenë fjalët e Kumbullës, i cili frymëzohet nga një mbrojtës i përvojës si Giorgio Chiellini.

Sipas ekspertëve të statistikave, rezulton që Kumbulla është bërë mbrojtës më i ri që ka shënuar një gol në 5 kampionatet kryesore në Europë për sezonin 2019-2020.

Njëkohësisht, ai është bërë mbrojtësi i parë i lindur pas 1 janarit 2000 që arrin të gjejë rrugën e rrjetës në Serinë A.

Tashmë e pret përfaqësuesja kuqezi, ku vjen natyrisht me entuziasmin e aktivizimit të vazhdueshëm dhe golit të shënuar në fundjavë.

Kumbulla ka shprehur lumturinë e tij që do të mund të luajë me Kombëtaren e Shqipërisë, në një fazë të rëndësishme dhe stimuluese siç janë kualifikueset e Europianit.